Ligj për Gjuhën Shqipe

Me arsyetimin se po shpërfillet, Instituti Albanologjik i Prishtinës kërkon hartimin e një ligji për mbrojtjen e standardit. Nisma ka gjetur përkrahje dhe në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, jo pak gjuhëtarë iniciativën për mbrojtjen e shqipes me ligj e barazojnë me marrëzi, shkruan Koha Ditore.

Gati një vit pasi në Shqipëri bëri goxha bujë letra që një grup ia dërgoi kryeministrit Edi Rama, ku i kërkohej që t’i dilte zot shqipes, kjo çështje ka nisur të diskutohet edhe në Kosovë.

Instituti Albanologjik i Kosovës ka shfrytëzuar rastin që gjatë një vizite që ia kanë bërë këtij institucioni anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, të kërkojë që gjuha shqipe të mbrohet me ligj.

Dy palët i kanë dhënë mbështetje kësaj nisme. Bile parashihet që të ketë edhe dënime për ata që i drejtohen publikut dhe devijojnë nga gjuha standarde. Për disa studiues kjo kërkesë është marrëzi. Nisma konsiderohet të jetë edhe kundër standardeve evropiane për mbrojtjen e gjuhës, shkruan Koha Ditore, në “Shtojcën për Kulturë”.

Kërkesë për ndërhyrjen e shtetit

Qemal Murati, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, kërkesën për mbrojtjen e gjuhës me ligj ia ka bërë kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, Nait Hasani. Murati thotë se ka arsye të forta për të kërkuar që gjuha shqipe të mbrohet me ligj të veçantë. Thotë se çështja e kujdesit për shqipen standarde, në këta njëzet vjetët e fundit, pas vendosjes së pluralizmit politik, ka rënë pothuajse në shkallën më të ulët të degradimit të saj në shoqërinë shqiptare.

“Kjo duhet të përbëjë një shqetësim serioz për institucionet tona shtetërore, në radhë të parë për Parlamentin e Kosovës, që të miratojë urgjentisht një ligj për përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe për Qeverinë që të aktivizojë mekanizmat mbrojtës në këtë fushë të gjuhësisë normative”, thotë Murati.

Thotë se për t’i prerë rrugën shkatërrimit të gjuhës standarde shqipe, në një takim me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim, Nait Hasani, në fillim të muajit Instituti Albanologjik ka bërë thirrje që Parlamenti i Kosovës të ndërmarrë nismën për hartimin dhe miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Gjuha është një nga tiparet dalluese dhe konstituive të kombit shqiptar, dhe njëkohësisht pasuria më e madhe kulturore e popullit tonë”, thotë Murati. Sipas tij, Instituti Albanologjik ka bërë thirrje të vazhdueshme që të merren masa ligjore e kushtetuese për të siguruar një zhvillim e përdorim të qëndrueshëm të gjuhës shqipe.

“Për ta mbrojtur këtë gjuhë nga disa dukuri që e dëmtojnë karakterin kombëtar dhe visarin e trashëguar të saj”, thotë Murati. Sipas tij, çdo shoqëri e qytetëruar, veçanërisht në kohën e sotme moderne, ka treguar interesim të posaçëm për gjuhën e vet dhe ka ndërtuar një politikë gjuhësore në pajtim me rrethanat dhe detyrat e posaçme historike e kulturore të saj. Bën thirrje, siç thotë ai, që inteligjencia shqiptare, mësuesit e gjuhës shqipe, gazetarët, përkthyesit e interpretuesit, studentët, nëpunësit, studiuesit e mirëfilltë të gjuhësisë e të letërsisë, shkrimtarët, publicistët, botuesit, shtresat e gjera të arsimtarëve dhe pedagogëve, administrata publike e shtetërore, bota akademike universitare “duhet ta mbledhin mendjen top e të dalin me një qëndrim të përbashkët: të mbrohet gjuha nga degradimi i çdoditshëm i saj”.

Kuvendi në përkrahje të propozimit

Nait Hasani, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport thotë se Instituti Albanologjik është institucioni që është marrë me këtë fushë dhe tash kërkon mbështetje. Sipas tij, kërkesa për mbrojtjen e gjuhës me ligj do të thotë të veprohet siç bëhet edhe në shtetet e tjera.

“Ne jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë”, thotë Hasani. Për të gjuha shqipe duhet të mbrohet me ligj, sepse është gjuhë e unifikuar. Sipas tij, në gjuhën shqipe kanë hyrë barbarizma, lokalizma që nuk janë pjesë e standardit dhe po përdoren edhe nga institucionet, televizionet, Qeveria e Kuvendi.

“Të gjithë personat zyrtarë duhet ta përdorin gjuhën standarde. Ne e kemi të shkruar gjuhën standarde, por nuk e kemi të mbrojtur me ligj”, ka thënë Hasani. Marrëveshja është që Instituti Albanologjik të krijojë një grup punues e Komisioni Parlamentar ta procedojë projektligjin në Kuvend.

“Përderisa kemi ligje për çdo gjë, edhe për pakica, ne duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe”, thotë ai. Sipas tij, zyrtarët për t’u prezantuar se kinse dinë diçka, përdorin fjalë të gjuhëve të huaja e jo të gjuhës shqipe.

“Kur përdorin fjalë të huaja mendojnë se janë më të ditur, e kjo është gjë e keqe”, ka thënë Hasani, që gjatë bisedës me gazetën jo rrallë është shprehur me “OK”. Sa u përket kundërshtimeve, nuk beson se do të ketë raste të tilla. Sipas tij, gjuhëtarët janë ata që do ta mbështesin këtë nismë. Bile nëse ka gjuhëtarë që janë kundër Hasanit “e vënë në dilemë profesionalizmin e tyre”.

“Nëse një gjuhëtar do të na kundërshtojë, ai nuk është gjuhëtar, dhe cili është qëllimi i atij gjuhëtari”, ka shtuar ai.

Gjobë për devijime nga standardi

Këshilltari shkencor në Institutin Albanologjik, Qemal Murati, thotë se për këtë ligj nuk duhet të bëhet ndonjë arsyeshmëri e fortë argumentuese. Mjafton të merren për bazë shoqëritë rreth e rrotull Kosovës.

“Në dhjetëvjeçarët e fundit në një varg shtetesh rajonale ballkanike dhe evropiane janë nxjerrë ligje dhe janë marrë vendime të posaçme për të rregulluar çështjen e gjuhës dhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e gjuhës amtare”, thotë ai. Shembull ka marrë shtetin maqedonas. Thotë se në Maqedoni, Ligji për mbrojtjen e gjuhës maqedonase është miratuar qysh në vitin 1998. Sipas tij, Ligji për mbrojtjen e gjuhës në Maqedoni parasheh masa të rrepta ndëshkuese ndaj shkeljeve të normave gjuhësore. Shqiptohen gjoba prej 2.500 deri 3 mijë euro për personat juridikë që publikojnë tekste të pa lekturuara.

“Paraprojekti i ligjit për gjuhën shqipe synon të përmbushë pikërisht këto kërkesa të drejta. Jo rrallë shpërfillet alfabeti i gjuhës shqipe, duke u shkruar i gjithë teksti pa përdorur shkronjat ‘ë’ dhe ‘ç’”, thotë ai. Për tekstet e ndryshme në komunikimet publike, deri dhe botime universitare e disertacione doktoratash, thotë se përmbajnë nga 500 deri në 1.000 gabime gjuhësore.

“E kur të ketë një kërkesë llogarie e të ndëshkohet financiarisht institucioni ose personi përkatës për shkarjet e tilla, natyrisht do të kemi një gjendje më të mirë të kulturës gjuhësore, një kujdes të shtuar me fjalën e shkruar e të folur publike”, thotë Murati. Nuk ia ha mendja se do të ketë kundërshtime. Thotë se nuk mendon se mund të ngrihet dikush kundër gjuhës së vet amtare dhe t’i kënaqë armiqtë e gjuhës shqipe “se ne shqiptarët nuk e meritojmë të kemi një gjuhë të përbashkët e për të qenë, si të gjitha shoqet e saj, evropiane”.

Nismë e barabartë me marrëzi

Studiuesi i gjuhës Bardh Rugova, shef i Degës së gjuhës shqipe në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk e sheh të arsyeshme kërkesën.

“Prej kujt me e mbrojt gjuhën shqipe? Prej shqiptarëve? Kaq marrëzi është kjo punë”, thotë Rugova, që është edhe anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, i themeluar më 2004 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Kundër kërkesës është shprehur edhe gjuhëtari Shkumbin Munishi. Profesori universitar thotë se duhet marrë parasysh përvojat e vendeve të tjera në lidhje me atë se çfarë mund të arrihet me ligj për mbrojtjen e gjuhës.

“Për shembull, përvojat e Francës, Izraelit e vendeve të tjera, që nuk është se kanë pasur kushedi se çfarë ndikimi në ruajtjen e gjuhës”, ka thënë Munishi. Sipas tij, para se të mendohet për ligj duhet të mendohet për përdoruesit e gjuhës duke pasur parasysh edhe situatat përkatëse gjuhësore.

“Kjo është ideja”, ka thënë Munishi. Ka ngritur pyetjen se cila gjuhë duhet të mbrohet me ligj. Thotë se nuk është i mendimit që gjuha të mbrohet në mënyrë të tillë. Sipas tij, para se të mendohet për mbrojtjen me ligj të gjuhës shumë më tepër duhet të mendohet për ngritjen e vetëdijes për vlerën që ka gjuha për një komb. Thotë se nuk mund ta ruash gjuhën, sepse ka procese dinamike në gjuhë dhe çështja është se çfarë do të ruhet. Mbrojtjen e gjuhës standarde të vitit 1972 me ligj e sheh si veprim në kundërshtim me standardet evropiane.

“Bie ndesh me standardet evropiane. Kemi standarde për dialekte, ku kërkohet edhe mbrojta e dialekteve. Nuk mund të miratohet një ligj që sanksionon dialektet, ndërkohë që me standarde evropiane kërkohet mbrojta e dialekteve. Këtu kemi të bëjmë edhe me ruajtjen e vlerave kulturore”, thotë Munishi.

Në fillim të majit të vitit të kaluar një grup prej njëzet vetash, ku gjysma prej tyre nuk janë gjuhëtarë, ia kishte dërguar një letër kryeministrit Edi Rama. I kërkohej Qeverisë që të ndërhynte në mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke thënë se puna e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe po e shkatërron atë.

“Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur ‘ndërakademik’ ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe!”, ishte shkruar, ndër të tjera, në letër.

Studiuesi Bardh Rugova asokohe kishte thënë se është për keqardhje që njerëz të cilët e quajnë veten studiues synojnë të shpallin tabu një fushë studimi dhe t’i stigmatizojnë studiuesit që mendojnë ndryshe prej tyre.

“Kjo është e rrezikshme jo vetëm për gjuhën shqipe a për shkencën përgjithësisht, por për mbarë shoqërinë, për lirinë e të menduarit dhe të shprehurit, si dhe për sistemin në të cilin jetojmë”, kishte thënë Rugova. Çështja e mbrojtjes së gjuhës shqipe me ligj do të mbetet në dorë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat