Një i ri 21 vjeçar, Martin Neshkoski, më datë 6 qershor të vitit 2011 është vrarë nga goditjet e pjesëtarit të sigurimit të kryeministrit Gruevski, Igor Spasov, në kohën kur partia në pushtet ishte duke festuar fitoren e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Dje Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, vazhdoi me shpalosjen e bisedave të përgjuara telefonike, që sipas tij, zërat pretendohet të jenë ndërmjet funksionarëve të lartë shtetëror dhe përfaqësuesve të partive politike, të cilat dëshmojnë sipas tij vjedhjen dhe kryerjen e veprave të ndryshme kriminale.
Në këto biseda telefonike dëgjohet zëri i ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, zëdhënësit të saj, Ivo Koteski, kreut të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, dhe shefit të kabinetit të kryeministrit, Martin Protugjer, të cilët sipas liderit Zaev, diskutojnë për të gjetur një mënyrë se si të fshehin nga publiku rastin për vrasjen e të riut Martin Neshkoski.
Kjo ka shkaktuar indinjatë të madhe tek populli duke u ngritur në protesta masive.
Mbrëmë, gjatë protestës, një pjesë e protestuesve kaluan rrethojat mbrojtëse dhe tentuan që të hynë në Qeveri, mirëpo u ndaluan nga ana e policisë dhe nuk pati incidente serioze. Më vonë, plagosja e disa protestuesve, përfshirë dy pjestarë të forcave policore dhe një reporteri, përshkallëzuan situatën para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, raporton Agjencia Turke e Lajmeve Anadolli (AA).
Ata goditën me gurë dhe shkopinj mburojat e policisë, ku dhe u thyen disa dritare të ndërtesës së Qeverisë. Pasi protestuesit sulmuan polcinë, pjestarët e forcave policore bllokuan njërën anë të rrugës para Qeverisë, me çrast protestuesit u larguan në drejtim të Katedrales. Disa persona u plagosën dhe u dërguan në Qendrën Klinike, disa të tjerë u arrestuan. Protestat e sotme ishin të dhunshme me përdorimin e forcës nga ana e policisë dhe nga disa prej protestuesve./trt/