Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, Çemil Çiçek ka deklaruar se vetë Turqia ka pranuar dy milion refugjatë nga Siria dhe Iraku, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian (BE) 130 mijë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai kujtoi se Turqia nga Siria dhe Iraku ka pranuar dy milion refugjatë dhe ka shpenzuar rreth 5,6 miliardë dollarë, ndërkohë që BE-ja, siç thotë, ka pranuar vetëm 130 mijë duke shpenzuar 260 milion dollarë.
Çiçek gjatë fjalimit në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit për Mesdheun në Lisbonë të Portugalisë ka paralajmëruar organizatat ndërkombëtare duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian se nuk bëjnë të mjaftueshëm për të ofruar ndihmë refugjatëve të Sirisë dhe Irakut.
Ai vuri në dukje se është e nevojshme të ofrohet ndihma dhe mbështetja refugjatëve pavarësisht përkatësisë fetare dhe etnike.
Çiçek shtoi se në zgjidhjen e problemeve me refugjatë duhet të përfshihen të gjitha vendet në botë dhe jo vetëm disa vende kufitare.
"Turqia nga buxheti i saj për refugjatët ka shpenzuar 5,6 miliardë dollarë. Nga pjesa tjetër e botës na janë dërguar 260 milion dollarë si ndihmë në zgjidhjen e këtij problemi", deklaroi Çiçek.
Në fund ai porositi se askush nuk duhet të injorojë problemin e refugjatëve nga Siria dhe Iraku ku vazhdojnë luftimet.
"Ekzistojnë shumë shqetësime dhe frikë për shkak të problemeve me refugjatët. Askush nuk duhet të injorojë këtë problem", theksoi Çiçek.