Autoritetet qeveritare kanë bërë vlerësimin e dëmeve në Lagjen e Trimave, që u shkaktuan si pasojë e përleshjeve dyditorë mes forcave policore dhe grupit të armatosur.
Qeveria pritet së shpejti t’ua shpaguajë financiarisht dëmet familjeve të dëmtuara, për çka mësohet se ka siguruar të dhënat bankare të pronarëve të shtëpive.
Lista me emrat e familjeve dhe vlerësimin e dëmeve është siguruar nga Agjencia e Lajmeve “Zhurnal”.
Sipas kësaj liste, mësohet se janë gjithsej 68 objekte që kanë pësuar dëme nga luftimet e fundjavës së shkuar, prej të cilave 28 shtëpi janë vlerësuar si “të shkatërruara plotësisht”.
Komisioni qeveritar për vlerësimin e dëmeve ka vlerësuar disa shtëpi si “të pabanueshme për mungesë kushtesh” dhe disa të tjera si “të dëmtuara pjesërisht”.
Qeveria, një ditë pas përfundimit të operacionit policor në Kumanovë, mori vendim që të bëjë kompensimin e plotë të dëmeve varësisht nga shkalla e tyre.