Djali i presidentit të rrëzuar egjiptian, Muhammed Mursi ka kritikuar vendimin gjykatës që u mor të shtunën që parashikon dërgimin e vendimit për dënimin me vdekje të Mursit tek Myftiu i Madh i Egjiptit, autoritetit suprem fetar në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykata duke iu drejtuar Myftiu i Madh i Egjiptit, kërkon që të merret në konsideratë një dënim i mundshëm me vdekje kundër ish-presidentit egjiptian Muhammed Mursi, me pretendimin se ka lidhje me arratisjen masive që ndodhi gjatë protestave të organizuara në vitin 2011 kundër paraardhësit të tij, Hosni Mubarak.
"Verdikti i gjykatës është i pavlefshëm dhe nuk i kushtoj vëmendje", deklaroi për Anadolu Agency në një bisedë telefonike, Osama Mursi, djali i ish-presidentit Muhammed Mursi.
"Ai mbetet i palëkundur në qëndrimet e tij dhe do të vazhdojë të mbrojë vullnetin e popullit”- shprehet ndër të tjera Osama Mursi. Familja e ish-presidentit Mursi nuk ka marrë pjesë në seancën gjyqësore të së shtunës, duke pretenduar se "refuzojnë legjitimitetin e gjykimit."
Gjykata egjiptiane ka kryer procedimet kundër Mursit dhe dhjetërave personave tjerë të cilët ishin akuzuar për pjesëmarrje në arratisjen masive në trazirat në janar të 2011.
Mursi me një vendim të mëparshëm të gjykatës është dënuar me 20 vjet burg nën akuzat për lidhje me vrasjen e protestuesve në afërsi të pallatit presidencial në Kajro, në fund të vitit 2012.