Më 16.05.2015, në fshatin Gajre të Kaçanikut, me ndërmjetësimin e Kryetarit të KBI-së në Kaçanik, ef. Florim Neziraj, administratorit të fshatit Gajre z. Ukshin Qallaku dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, u bë pajtimi i familjes MULAKU dhe SHAHINI nga Fshati Gajre, të cilat ishin në hasmëri për pesë vjet më radhë, si shkak i një konflikti që është përcjellë edhe me plagosje të ndërsjellë, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e KBI Kaçanik në facebook.
Në Xhaminë e Fshatit Gajre u shtri dora e pajtimit ndërmjet dy familjeve para Kryetarit të KBI-së, ef. Florim Neziraj, i cili ishte shoqëruar nga sekretari Nehat Hysa, arkëtari Hamit Hamiti, nëpunësi Bekim Baftiu, imami i fshatit Gajre, Musa Luma, dhe nga shumë xhematlinj e qytetarë të Kaçanikut.
Lusim Allahun e Madhëruar që këto dy familje t’i shpërblejë me të mira për këtë vepër që bënë dhe shpresojmë të jetë një shembull i mirë për familjet të tjera që ende gjenden në hasmëri.