Ndonëse ishte paralajmëruar se familjarët e kosovarëve të arrestuar në Maqedoni, si pasojë e konfliktit të 9 dhe 10 majit, do të mundë t’i vizitojnë të afërmit e tyre në Burgun e Shkupit gjatë të martës dhe të mërkurës së kësaj jave, një gjë e tillë ka nisur qysh të hënën.
Avokati Naser Raufi, i cili mbron interesat e tetë të arrestuarve nga aksioni policor në Kumanovë, ka thënë se disa nga familjarët i kanë përfunduar vizitat gjatë të hënës dhe një pjesë tjetër e familjarëve vizitat do t’i përfundojnë gjatë të martës, por edhe ditëve të tjera gjatë kësaj jave.
Siç raporton "Zëri", avokati ka thënë se bazuar në vizitën që ai ua ka bërë klientëve, por edhe bazuar në atë që i kanë thënë familjarët, gjendja shëndetësore e të paraburgosurve është e rëndë si rezultat i rrahjeve që kanë pësuar nga organet e rendit në Maqedoni. /Zëri/