Pak orë pasi që Presidentit Muhammed Mursit, i cili u zgjodh me votë të lirë dhe u largua me grusht shteti në Egjipt, i është konfirmuar vendimi për dënimin me vdekje, në qytetin kosovar të Prizrenit janë mbajtur protesta, raporton Anadolu Agency (AA).
Disa dhjetëra protestues, anëtarë të Konfederatës së Nëpunësve të Administratës Civile janë mbledhur në Urën e gurit në pjesën e vjetër të qytetit, duke mbajtur pankarta me fotografitë e Muhammed Mursit ku kërkojnë lirimin e tij, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me vendimin të cilin sot e morri një gjykatë egjiptiane.
Një gjykatë në Egjipt ka njoftuar vendimin për çështjen ku gjykohet presidenti Muhammed Mursi, Presidenti i zgjedhur me votë të lirë në Egjipt dhe i larguar me grusht shteti në vitin 2013 dhe 121 persona të tjerë të cilët gjykata më parë dosjen e tyre e kishte dërguar në myftini për të marrë opinionin e saj në lidhje me vendimet me vdekje të dhënë ndaj tyre.
Për dy çështjet që janë gjykuar, ka patur vendime të ndara dhe të ndryshme. Në çështjen që njihet si “Bastisja e burgjeve” gjykata ka dhënë vendimin për dënim me vdekje ndaj Muhammed Mursit. Ndërkohë për çështjen e cila njihet në opinionin publik si çështja e "Spiunazhit të madh", gjykata ka dhënë vendimin për dënimin me burg të përjetshëm ndaj tij./AA/