Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erëra të forta të cilat që pasditen e djeshme goditën rajonin e Tetovës shkaktuan 5 viktima dhe dëme të mëdha materiale, veçanërisht në fshatrat e malësisë së Tetovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Zonat më kritike të rajonit të Tetovës nga vërshimet e djeshme ishin fshati Poroj ku ka dëme në sistemin e ujësjellësit dhe uji nuk mund të përdoret për tu pirë, ndërkohë që edhe një urë brenda fshatit është e shkatërruar nga ana ujërat e ardhur dhe komunikacioni në këtë pjesë zhvillohet me pengesa. Në Reçicë të Madhe një numër i madh i shtëpive janë të dëmtuara, ndërsa përveç dëmeve materiale edhe një vazjë 14 vjeçare ka humbur jetën.
Nga këto vërshime më tepër është prekur fshati i malësisë së Tetovës, Shipkovica. Ky fshat në këto momente përjeton një ndër situatat më të rënda të historisë së tij. Anëtar i Shtabit të krizave, Arben Halili, tha për AA se katër persona kanë humbur jetën si pasojë e vërshimeve, prej të cilëve tre fëmijë dhe një i moshuar. Ai bëri të ditur se njëri nga fëmijët e humbur ende është në kërkim nga ekipet e shpëtimit, përfshirë edhe nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe nga Armata e Republikës së Maqedonisë.
“Fatkeqsisht kemi katër persona të vdekur prej të cilëve tre janë fëmijë të moshës së re dhe një i moshuar. Nga ana tjetër kemi dëme materiale të jashtëzakonshme, të cilat në aspektin e vlerësimit do të jetë e pamundur të bëhet kjo, si nga shkatërrimi i tërësishëm i infrastrukturës qendrore të fshtatit, poashtu edhe dëme të tjera materiale në 20 shtëpitë që janë të dëmtuara mbi 50 përqind”, deklaroi Halili për AA, duke shtuar se ka dëme edhe në makineri, si dhe janë dëmtuar disa automjete që ishin të parkuara në pjesët anësore të fshatit.
Halili në vijim të fjalës së tij theksoi se në aspektin humanitar është paraqitur një katastrofë edhe më e madhe, sepse siç tha ai, është dëmtuar tërësisht sistemi i ujit dhe në këto momente fshati rezikon të përfshihet edhe nga ndonjë epidemi eventuale. Ai njofton se fshati ka nevojë urgjente në radhë të parë për ujë, por më pas edhe për ushqim dhe veshmbathje, pasi që gjithçka që kanë pasur në shtëpitë e tyre është shkatërruar.
Një nga familjarët e fëmijëve që humbën jetën tha se gjithçka ndodhi papritur reth orës pesë pasdite. “Kjo ndodhi për një moment të shkurtër. Si çdo herë filloi shiu. Reth orës pesë e gjysmë filloi të fryjë erë dhe qielli u erësua. Dy fëmijë i kemi të vdekur, vajzën ende nuk e kemi gjetur”, u shpreh ai.
Krahas katër personave që humbën jetën, një numër i madh i banorwve tw Shipkovicws janë të lënduar, prej të cilëve njëri ndodhet në Spitalin e Shkupit për shkak të plagëve të rënda./AA/