Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hedhur poshtë të premten një kërkesë për lirimin për shkaqe shëndetësore të një të burgosuri të Guantanamos, i cili për shkak të grevës së urisë, të cilën e ka nisur para gati tetë vitesh, peshon vetëm 33,5 kilogramë.
Sipas avokatëve të këtij jemenasi 36-vjeçar, Tariq Ba Odah, ky vendim dëshmon se presidenti amerikan Barack Obama nuk është i vendosur që ta mbajë premtimin e tij për mbylljen e burgut të Guantanamos para largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në janar 2017.
Arsyetimet për këtë vendim po mbahen sekret. Kjo për shkak se ato përmbajnë informacione mjekësore, ka theksuar Departamenti i Drejtësisë.
I arrestuar nga ushtria pakistaneze përgjatë kufirit afgan dhe i akuzuar se është trajnuar për përdorim të armëve me qëllim që të luftojë përkrah talebanëve, Tariq Ba Odah është ushqyer me forcë përmes një tubi të futur në hundë qëkur ka vendosur të mos ushqehet më 2007.
Humbja e peshës prej 18 muajsh i bën avokatët e tij të frikësohen se do të vdesë, shkruan "Zëri".
Zyrtarë të ushtrisë dhe të shërbimeve inteligjente amerikane kanë dhënë, para pesë vitesh, dritën jeshile për lirimin e tij nga kampi i Guantanamos, baza detare në Kubë, ku 116 po mbahen të burgosur 14 vjet pas atentateve të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Rasti i Tariq Ba Odah ka shkaktuar ndarje edhe në administratën amerikane. Zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes frikësohen se transferimi i tij jashtë Guantanamos, nëse do të pranohej, do të nxiste të tjerë të burgosur të hidheshin në grevë urie.
Zyrtarë të Departamentit të Shtetit, ndërkaq, janë pro lirimit të tij.
Sikur ky jemenas, 51 të burgosur të tjerë të Guantanamos kanë marrë leje për transferim por vazhdojnë të mbeten në burg. /Zëri/