Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është duke e kaluar periudhën më të suksesshme në historinë e saj, që nga themelimi në vitin 1930, duke u renditur si kombëtarja e 22-të më e mirë në botë, në ranglistën e FIFA-së dhe duke luftuar krah Portugalisë dhe Danimarkës, për t’u kualifikuar në kampionatin evropian në futboll “EURO 2016”, që mbahet vitin e ardhshëm në Francë.
Pas barazimit me Danimarkën, të premten mbrëma në Kopenhagen, Shqipëria ka siguruar 11 pikë, po aq sa edhe Danimarka, mirëpo ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndeshjen e ardhës në kuadër të Grupit I të kualifikimeve për EURO 2016, kuqezinjtë e zhvillojnë sonte, në stadiumin “Elbasan Arena”, kundër Portugalisë.
Vitin e kaluar, në ndeshjen e zhvilluar në Estadio Da Luz dhe e cila hapi garat kualifikuese në Grupin I, me golin e bukur të sulmuesit Bekim Balaj, Shqipëria kishte shënuar fitore sensacionale në Portugali duke paralajmëruar se në këtë cikël kualifikues do të jetë rival i fortë për kombëtaret e tjera.
Këtë, kuqezinjtë e kombëtares shqiptare e dëshmuan edhe në ndeshjen me Danimarkën, ku treguan lojë të pjekur, të disiplinuar dhe të fortë në mbrojtje, për të realizuar qëllimin e selektorit De Biassi, për të mos pësuar disfatë, thotë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, dikur sulmues i famshëm i Prishtinës, Partizanit të Beogradit, Fenerbahçes nga Stambolli dhe ish-reprezentacionit të Jugosllavisë së dikurshme.
Vokrri thekson se një lojë e tillë e disiplinuar, me vendosje taktike të papërshtatshme për rivalët dhe zbatimi i saktë nga lojtarët e kombëtares, vjen si rezultat i punës së Gianni De Biassit, për të cilin kryetari i FFK-së thotë se është seleksionuesi më i suksesshëm i gjitha kohëve i kombëtares shqiptare.
Ai shton se, me punën e deritashme, seleksionuesi italian ka arritur ta shndërrojë kombëtaren kuqezi nga një skuadër e cila konsiderohej si kundërshtarë për ta përmirësuar golaverazhin, në një rival të respektuar dhe skuadër e cila lufton seriozisht për t’u kualifikuar në kampionat evropian.
Kështu e konsideron kombëtaren shqiptare edhe Portugalia, kombëtare kjo e cila sonte do të jetë mysafire në Elbasan dhe si lidere e grupit I, ka vetëm një pikë më shumë se Shqipëria.
Vokrri insiston se kjo do të jetë një ndeshje e fortë, shumë e vështirë dhe sugjeroi që kuqezinjtë duhet të jenë të qetë, të mos bien në eufori të rezultatit me Danimarkën, pasi shqiptarëve u kanë mbetur edhe tri ndeshje dhe ky është një rast historik dhe ideal, aq më tepër që Danimarka e ka një ndeshje më shumë se Shqipëria dhe pastaj i vjen dueli direkt me Portugalinë, në ndeshjen e fundit të grupit.
Ish- sulmuesi i Fenerbahçes, Fadil Vokrri ritheksoi se kuqezinjtë duhet të jenë të kujdesshëm sepse Portugalia në përbërje ka sulmuesin më të mirë në botë, Cristiano Ronaldon.
“Pavarësisht se luanë në shtëpi, si vendas, mendoj që De Biassi do të jetë i kujdesshëm në përpilimin e taktikës dhe lojës së kombëtares. Mendoj që ai do të kërkojë më shumë raste dhe hapësirë, përmes kundërsulmeve sepse, me një ekip siç është Portugalia, megjithatë do të duhej të jetë i kujdesshëm ngase është në gjendje të dënoj kundërshtarin në çdo moment, sidomos dy individët që i përmendet edhe ju, Nani dhe Cristiano Ronaldo, të cilët janë në gjendje në çdo moment , për shumë pak kohë brenda 90 minutave ta vendosin ndeshjen”.
Artor Shala, komentuesi i njohur i futbollit nga SuperSport Kosova, pajtohet me Fadil Vokrrin kur thotë se, Shqipëria është duke kaluar nëpër periudhën më të suksesshme në histori të garave kualifikuese për kampionate evropiane dhe botërore, pasi është skuadra e vetme që nuk ka humbje në Grupin I.
Ai thekson se ardhja e De Biassit ka ndryshuar filozofin e lojës së kombëtares, duke aplikuar mbrojtje të fortë dhe të disiplinuar nga e cila pastaj rrjedhin kundërsulme të shpejta. Sipas Shalës, De Biassi ka gjetur lojtarët më adekuat për mënyrën e lojës së tij, të cilët po e aplikojnë me përpikëri taktikën e trajnerit italian dhe kjo është dëshmuar në ndeshjen e parë kundër Portugalisë, si dhe së fundit të premten me Danimarkën, ku nuk pësoj disfatë dhe nxori atë që deshi: nuk pësoi disfatë.
Për duelin me portugezët, Shala për AA tha se, ky është ndoshta një prej dueleve më të rëndësishme që e ka Shqipëria dhe shtoi që portugezët sonte do të luajnë më ndryshe nga dueli mi parë kur, sipas mendimit të tij, Cristiano Ronaldo, Nani dhe shokët e tyre e kishin nënçmuar pak kombëtaren shqiptare. Sipas tij, kuqezinjtë nuk duhet të mbyllen për t’u mbrojtur para 16 metërshit të tyre por, njëkohësisht duhet të kenë kujdes edhe në shpejtësinë e C.Ronaldos dhe Nanit.
“Nëse Shqipëria do të mbrohet, vështirë e ka të nxjerr rezultat pozitiv sepse portugezët kanë udhëtuar në Shqipëri për lojë ofensive. Nëse Shqipëria luan mbrojtje pak më të gjatë, më në mes të fushës, përkundër rrezikut permanent nga Ronaldo dhe Nani, me topa të gjatë, mendoj se gjithsesi mund të nxjerr rezultat pozitiv” tha Shala.
Ai shtoi se, entuziazmi është i madh, jo vetëm tek tifozët nga Kosova që tashmë janë në Elbasan por në mbarë shqiptarinë sepse kjo është ndoshta një prej ndeshjeve vendimtare e cila mund të hap rrugën finale drejt kualifikimit të Shqipërisë në kampionatin evropian “Franca 2016”.
Lidhur me 11-shën startuese të kombëtares shqiptare kundër Portugalisë, duke iu referuar edhe duelit të fundit me Danimarkën, komentuesi Artor Shala thotë se, skuadra e cila tregohet e suksesshme, zakonisht nuk ndryshohet dhe beson që, pak a shumë, formacioni do të jetë i njëjtë.
Nëse sonte do të luaj apo jo Bekim Balaj, shënuesi i golit të fitores në Portugali, Shala shpreh dyshimet e tij sepse De Biassi nuk e kishte inkuadruar në dy ndeshjet e fundit.
“Tani, sa do të vendos për ta inkuadruar, për të pasur të njëjtin fat si në Portugali është vështirë të thuhet. Nuk besoj, personalisht, që do të staroi por, me kalimin e kohës, varësisht nga rezultati mund të ndodh që të inkuadrohet dhe pse jo, të shënoi një gol tjetër të bukur” tha komentuesi i futbollit
Luan Maloku nga Prishtina, po bëhej gati për udhëtim drejt Elbasanit, së bashku me shokët e tij, për të përcjell ndeshjen me Portugalinë dhe për Anadolu Agency tha se kjo është një ndeshje vendimtare dhe beson që kombëtarja do ta fitojë së paku një pikë.
“Na shpresojmë se atje do të fitojmë sot, që të paktën në ndeshjen me Serbinë të jenë më të relaksuar edhe pse ajo ndeshje nuk është e pikëve por, është ndeshje jetike. Sidoqoftë, besoj se Shqipëria sot do të fitojë” tha Maloku dhe shtoi se, sipas informatave të tij, numri i tifozëve nga Kosova që sonte do të jenë në “Elbasan Arena”, pritet të jetë mbi 4 mijë vetë. Ndeshja Shqipëri – Portugali zhvillohet sonte, me fillim nga ora 20:45.
Ekipi i mundshëm startues i Shqipërisë mund të jetë në formacion 4-5-1:
Berisha (portieri); Gjemshiti, Cana, Ajeti, Agolli (mbrojtje); Gashi, Xhaka, Kukeli, Abrashi, Lenjani (mesfushë); Cikalleshi (sulm)
Për Portugalinë besohet se do të luaj me sistemin 4-3-2-1:
Patricio; Vieirinha, Fonte, Pepe, Eliseu(mbrojtje); Mario, Pereira, Silva (mesfushë defanzive); Nani dhe Ronaldo (mesfushë ofensive); Eder (sulm)
Gjyqtarët e ndeshjes do të jenë suedezët, Eriksson si kryesori, ndërsa ndihmësit e tij do të jenë Klasenius dhe Wärnmark, kurse Culum do të jetë gjyqtari i katërt.
Kualifikimet për EURO 2016 – Grupi I
Tabela
1 Portugal 5 4 0 1 7:4 +3 12
2 Denmark 6 3 2 1 8:4 +4 11
3 Albania 5 3 2 0 7:2 +5 11
4 Serbia * 6 1 1 4 5:11 -6 1
5 Armenia 6 0 1 5 5:11 -6 1
* Serbia ka minus 3 pikë, për shkak të humbjes së ndeshjes së ndërprerë me Shqipërinë, në Beograd, me rezultat zyrtarë 0:3./AA/