Hoxhë Ekrem Avdiu ishte i ftuar në emisionin Zona B në Klan Kosova. Me të ftuarin u diskutua në lidhje me tragjedinë e fundit në Mekë, reformimin e Islamit, trajtimin e viktimave, debatin në islam dhe rreth islamit.
Ai tha se tragjedia në Mekë i ka prekur të gjithë dhe ajo ka ndodhur për shkak të pakujdesisë, e jo si pasojë e qëndrimeve fetare.
“Secili mysliman e ka ndjerë veten keq, sepse askush nuk ka shkuar me njetin të vdes atje.”
“Thënia shkofsh e mos u kthefsh është produkt i injorancës nuk është në logjikën e myslimanëve, për humbjen e secilit njeri unë ndihem jashtëzakonisht keq.”
“Nga Kosova nuk mundet të shkojnë më shumë se 2000 persona. Kjo është e rregulluar në këtë formë. Për shembull nga Turqia, presin me vite njerëzit për të shkuar, sepse numri për një vit është i limituar”.
“Nuk duhet të paragjykojmë ngjarjen, është absolutisht e vërtetë që nuk ka ardhur si rrjedhojë e qëndrimeve fetare apo juridike nuk bënë të thuhet se nuk ka pasur kujdes për njerëzit”.
Avdiu ka deklaruar se ligjërimi mbi vdekjen nuk e rrit ekstremizmin ashtu si pretendohet nga disa dhe se islami e trajton vdekjen në mënyrë të veçantë.
“Nuk pajtohem që diskursi religjioz në raport me vdekjen e rrit ekstremizmin. Fundja islami vdekjen e trajton me një kujdes shumë të veçantë dhe Kur’ani përbehet nga shumë elemente.”
“Zoti pret prej neve të vdesim në gjendje të mirë dhe për të arritur këtë ne duhet gjithmonë të bëjmë mirë sepse nuk e dimë në çfarë momenti na gjenë vdekja,” ka thënë Avdiu, njofton Klan Kosova.
Diskutimi në Zona B gjithashtu ishte i përqendruar në shumë pika , duke u fokusuar rreth debatit në islam dhe trajtimit të viktimave në Mekë.
Hoxhë Ekrem Avdiu ka shtuar se debati e karakterizon islamin dhe se mediat manipuluan me pamjet e viktimave, ku aty shihet tërheqja e tyre me ekskavator.
“Gjithë argumentet e shpalljes që janë shpalljet e Kur’anit famëlartë, të gjitha ato nuk e përjashtojnë debatin, polemikën dhe bisedën.”
“Sikur të ishte e vërtet ajo që është shfaqur do të ishte përdhosje ekstreme e qenies njeri. Ato pamje që janë paraqitë nuk janë të vërteta janë manipulime. Një mysliman e përjeton rëndë nëse njeriu përdhoset qoftë edhe i vdekur.”
Më tej, Avdiu u fokusua rreth interpretimit të Kur’anit, dhe se a ka nevojë të reformohet feja islame,ai deklaroi se libri i shenjt është universal, dhe se viktimat kanë shkaktuar dhimbje tek të gjithë pavarësisht etnisë.
“700 njerëz janë njerëz pavarësisht përkatësisë etnike, por edhe ne e ndjejmë vetën më të lehtësuar sepse tragjedia e të afërmit është më e rëndë.”
“Unë do të pyesja a ka nevojë të reformohet islami? Pa marrë ndonjë shembull konkret askush nuk do të ishte në gjendje të ja mbushë mendjen dikujt. Në qoftë se do të paraqitej nevoja për këtë punë unë do të jepja një mendim, por Kur’ani i jep gjërat në mënyrë të gjerë janë njerëzit dhe injoranca e njerëzve që e ngushtojnë atë.”
“Nuk mund ta paramendojmë Kur’anin si një libër që tregon për gotë të qelqit apo prodhime të ndryshme. Kur’ani ka detajizuar disa veprime që nuk ndryshojnë pavarësisht kohës.”
“Kur’ani, unë konsideroj që është unvierzal e jo për një kategori të njerëzve, është thirrje për të gjithë tash varet kush e pranon kush jo,” përfundoi Avdiu, transmeton Klan Kosova.