Kryetari i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi rezultatet e zgjedhjeve legjislative të 1 nëntorit gjatë një fjalimi në Pallatin Presidencial para të zgjedhurve lokalë.
Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se mesazhi popullor në zgjedhjet e tri ditëve më parë ishte aspirata për një pushtet të fuqishëm njëpartiak dhe jo për qeveri koalicioni.
Zgjedhësit, theksoi kreu i shtetit turk, shpalosën qartë sesa i gabuar është përvetësimi i metodave të organizatës terroriste në vend të mundësive legjitime të politikës, duke i paralajmëruar shkaktarët e trazirave edhe një tjetër herë nëpërmjet votave të tyre.
Gjatë një fjalimi në Pallatin Presidencial para të zgjedhurve lokalë, Erdogan vlerësoi rezultatet e zgjedhjeve legjislative të së dielës.
“Orvatjet e inxhinierisë sociale sërish nuk kanë dhënë rezultat përballë vullnetit popullor. Duket sheshit se asnjë parti, që cenon demokracinë, qetësinë dhe stabilitetin tonë, nuk do të mund të fitojë mbështetjen dhe pëlqimin e popullit tonë”, u shpreh ai.
Lideri turk potencoi se lufta antiterror do të vazhdojë vendosmërisht pa ndërprerje derisa organizata terroriste të ulë armët, t’i groposë dhe betonojë ato; derisa të gjithë elementët e saj të dorëzohen apo të tërhiqen jashtë kufijve të Turqisë dhe organizata të shpërbëhet tërësisht.
Duke u ndalur mbi rëndësinë e rezultatit dhe jo të diskutimeve për zgjidhjen e problemit të terrorit gjatë periudhës në vijim, Erdogan tha që “nëse kërkohet një emër për këtë punë, atëherë le të quhet Procesi i Bashkimit Kombëtar dhe Vëllazërisë”.
Presidenti Erdogan u rikujtoi të pranishmëve se në disa qytete të Anadollit Juglindor janë hapur hendekë në rrugë për penguar operacionet e forcave të sigurisë.
“Me se u hapën këta hendekë? Sigurisht që me makineritë dhe veglat e punës së bashkive të administruara nga forca politike, që ju e dini se cila është (HDP – shënim i përkthyesit). Po ashtu, tenderët për mbylljen e hendekëve iu dhanë firmave private përkrahëse të saj. Në këtë mënyrë ata siguruan burime për organizatën terroriste”, shtoi kryetari i shtetit.
Në vijim, Erdogan tha se një prej mesazheve kryesore të zgjedhjeve më 1 nëntor ishte zgjidhja e çështjes për një kushtetutë të re.
“Jam i mendimit se partitë, që (më parë) përpiqeshin ta pengonin këtë gjë, duhet të heqin dorë nga kjo qasje. Të gjithë ata, që do të mundohet ta pengojnë, do të japin llogari sërish në zgjedhjet e 4 viteve më vonë. Besoj se kjo çështje do të shqyrtohet nga partitë tona politike menjëherë pasi Kuvendi të mbajë seancën konstituive dhe se do të punohet për të prodhuar rezultat”, nënvizoi ai.
Në fund të fjalimit përpara të zgjedhurve lokalë, Presidenti Erdogan theksoi se ai vetë nuk ka kurrfarë problemi me të 78 milionë banorët e Turqisë dhe vijoi me fjalët: “Megjithatë nuk duhet të harrojmë diçka. Të 78 milionë banorët e Turqisë duhet ta pranojnë postin e presidentit si postin e tyre. Sepse ky është posti i popullit dhe jo i imi personal. Tayyip Erdoganin mund ta doni ose jo; unë edhe me këtë nuk kam ndonjë problem, por këtë post nuk mund ta shani, ofendoni dhe as ta quani ‘vrasës’. Dikush ngrihet e thotë, sikur hap sfidë, se ‘shteti ka vrarë 2.000 kurdë’. Më fal, por më parë duhet të mësosh se ky shtet nuk qëllon kurrë me armë ndaj kurdëve, ky shtet hap zjarr ndaj terroristëve. Në gjykimin tonë është tjetër terroristi dhe tjetër vëllai im kurd.”/trt/