Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Rusia nën pretekstin e rastit të rrëzimit të avionit rus, të cilin e gjithë bota e ka pranuar se Turqia kishte të drejtë, Turqisë i ka dërguar akuza të papranueshme, të cilat, sipas tij, janë lojë me zjarrin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan iu drejtua banorëve të qytetit verior turk Bayburt, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes të disa projekteve të përfunduara. Me këtë rast komentoi mbi zhvillimet e fundit në lidhje me rrëzimin e avionit rus, të martën më 24 nëntor.
Presidenti turk tha se të njëjtën ditë kur u rrëzua avioni ishte përpjekur për të biseduar përmes telefonit me presidentin rus Vladimir Putin, por që nga ajo ditë nuk ka marrë asnjë përgjigje.
"Të njëjtën ditë kam kërkuar takim, kam kërkuar të bisedoj në telefon. Megjithatë, që nga ajo ditë e deri më sot, nuk kemi marrë përgjigje", tha Erdoğan, duke folur edhe për mundësinë e takimit me Putinin në Samitin për Ndryshimet Klimatike në Paris.
"Mendoj se (Putini) do të jenë i pranishëm atje dhe ne mund të ulemi dhe të flasim", tha Erdoğan.
Presidenti i Turqisë megjithatë theksoi se regjistrimet e radarit kanë konfirmuar se avionët rusë kishin shkelur hapësirën ajrore turke, dhe se gjithë kjo është vërtetuar para botës edhe me audio- incizime.
"E gjithë bota e ka pranuar se e drejta është në anën e Turqisë. Po ashtu edhe Rusia ka përgjegjësi për të paraqitur pretendimet e tyre, përndryshe Rusia do të fitojë statusin e gënjeshtarit për shkak të akuzave të rënda dhe të pandershme", tha Erdoğan.
"Turqia nuk e ka rrëzuar qëllimisht avion luftarak rus. Kjo është një rast që automatikisht ka rrjedhur pas shkeljeve të hapësirës ajrore, konkretisht zbatimit të rregullave të angazhimit", shtoi Erdoğan.
Kur është fjala për luftën kundër organizatës terroriste DAESH, Erdoğan porositi Putinin: "Putini i dashur thotë: ‘Kush aplikon standarde të dyfishta ndaj terrorizmit, luan me zjarr’, Unë plotësisht pajtohem me këtë fjali. E saktë. Të mbështesësh regjimin e Asadit, që është arsyeja për humbjen e 380.000 jetëve, dhe i cili përhapë terrorin shtetëror, po, kjo është lojë me zjarrin. Në pretekstin e luftës kundër DAESH-it, të bombardosh opozitën, e cila ka legjitimitetit ndërkombëtar, është lojë me zjarrin. Nën pretekstin e rastit për të cilin e tërë bota e ka pranuar se Turqia është në të drejtë, të na drejtoj akuza nga më të rëndat dhe këtë rast të përdor për të munduar qytetarët tanë që udhëtuan për Rusi që të marrin pjesë në panair, do të thotë të luash me zjarrin. Është e papërgjegjshme që të sulmosh kamionët të cilët ndodheshin për shkak të tregtisë apo ndihmave humanitare, është lojë me zjarrin. Me sinqeritetin më të lartë porosisim Rusinë që të mos luajë me zjarr", tha Erdoğan.