Në seancën e sotme solemne të Kuvendit të Kosovës, Hashim Thaçi është betuar si President i ri i Kosovës.
Në seancën ku ishte e pranishme edhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga, munguan të gjithë deputetët e tri partive opozitare, Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Në këtë ceremoni, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti u betua se do të angazhohet me gjithë fuqinë e tij për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit të detyrës së Presdientit të Kosovës do të bëhet nesër në sheshet “Ibrahim Rugova” dhe “Skënderbeu”, para objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ku pritet të marrin pjesë mbi 1000 personalitete të ndryshme nga bota: presidentë, kryeministra dhe zyrtarë të lartë shtetëror nga mbi 50 shtete të botës.
Gjatë kësaj ceremonia, Presidentja e Kosovës në largim, Atifiete Jahjaga do t’ia dorëzoj një kopje të Kushtetutës së Kosovës, Presidentit të ri, Hashim Thaçit dhe së bashku do të parakalojnë pranë Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me këtë ceremoni, edhe zyrtarisht do të përfundojë mandati 5 vjeçar presidencial i Atifete Jahjagës dhe për 5 vitet e ardhshme, do ta fillojë Hashim Thaçi, i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, më 26 shkurt 2016.