Avioni luftarak i regjimit sirian bombardoi kampin e refugjatëve Kamune në Idlib

Të paktën 27 persona vdiqën në bombardimin e kryer nga ana e një avioni luftarak të regjimit kundër kampit Kamune në qytezën Sarmada të Idlibit në veriperëndim të Sirisë pranë kufirit me Turqinë.

Në këtë bombardim, ku shumica e viktimave kanë qenë fëmijë, u dogjën edhe dhjetëra çadra.

Në këtë kamp ishin të strehuar refugjatët e ikur nga bombardimet e regjimit në Halep, Idlib dhe Latakije, zona këto që ndodhen nën kontrollin e opozitarëve.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Marrëdhënie me Jashtë dhe Siguri, Federica Mogherini dhe anëtari i Komisionit të BE-së për Ndihma Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides, publikuan një deklaratë të përbashkët me shkrim në lidhje me bombardimin e qytetit të çadrave në Kamune.

Në këtë deklaratë ku bëhet e ditur se lajmet në lidhje me sulmet tregojnë edhe njëherë se personat e pambrojtur vazhdojnë të jenë viktimat e para të luftimeve, ndërsa thuhet se “Kampet e refugjatëve nuk duhen në objektiv të dhunës, por duhen të jenë vende ku personat në nevojë duhen të mbrohen nga luftimet. Sulmet ndaj kampeve të refugjatëve janë të papranueshme dhe paraqesin shkelje serioze të të drejtave ndërkombëtare humanitare.

Në deklaratë ku ndër të tjera kërkohet nga palët që gjatë përleshjeve të mos marrin si objektiv infrastruktura civile si shkolla e spitale dhe të mbrojnë civilët, gjithashtu u tërhoq vëmendja në rëndësinë e lejimit pa kushte të qasjes së ndihmave humanitare personave në nevojë.

Në deklaratë ku thuhet se BE-ja do të vazhdojë me përkrahjen e popullit sirianë ndër të tjera u tha kështu: “Këto lloj sulmesh janë tregues për nevojën emergjente të negociatave, të cilat do ti japin fund luftës civile. Tani është koha që shoqëria ndërkombëtare të veprojë së bashku dhe të detyrojë në rivendosjen në binarë të procesit të negociatave”.

Edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest gjatë konferencës ditore për shtyp në lidhje me bombardimin e qytetit të çadrave nga ana e forcave të Esadit tha se “Nuk ka asnjë justifikim për legalizimin e sulmeve ajrore ndaj civilëve të larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës”.

Ndërkaq regjimi i Esadit vazhdon edhe me shkeljen e armëpushimit në Halep.

Në sulmin me bomba fuçi të kryer nga ana e një helikopteri të regjimit ndaj fshatit Um Karamil të qytezës Zerbe në jug të Halepit që kontrollohet nga opozitarët janë vrarë 12 dhe u plagosën 15 persona.

Ndërkohë komunikata e përgatitur nga Anglia dhe e paraqitur anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk u miratua për shkak të pengesës së Rusisë.

Anglia ditë më parë kishte kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit pas shtimit të sulmeve të regjimit ndaj Halepit. Në pjesën publike të mbledhjes vendet anëtare shfaqën qëndrimin e tyre ndaj këtij problemi, ndërkaq në pjesën e mbledhjes të zhvilluar prapa dyerve të mbyllura anëtarëve të Këshillit iu shpërnda një komunikatë për shtyp e përgatitur nga Anglia.

Në këtë komunikatë u tha se në 12 ditët e fundit nga dhuna në Halep janë vrarë 280 civilë, ndërsa u dënuan ashpër sulmet e regjimit të Esadit.

Në mes tjerash në këtë komunikatë u dënuan edhe sulme e regjimit sirian të ndërmarra ndaj spitalit El Kudus, ndërkaq ajo nuk u miratua për shkak të kundërshtimit të Rusisë.

Për miratimin e komunikatave për shtyp dhe të kryesisë nevojitet pajtimi të 15 vendeve anëtare.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat