Kryeministri britanik, David Cameron i kërkoi ndjesë imamit nga Londra, Sulaiman Gani, të cilin e lidhi me organizatën terroriste DAESH, raporton Anadolu Agency (AA).
Cameron më herët gjatë një debati parlamentar tha se Gani, imam nga zona periferike londineze Tooting, mbështet ekstremistët në Siri dhe Irak. Kryeministri britanik deklaratën e tij e bëri në kuadër të debatit për kryebashkiakun e posazgjedhur të Londrës Sadiq Khan, të cilin disa e lidhnin me muslimanët radikalë.
Nga ana tjetër, Gani hodhi poshtë çfarëdo lidhje dhe “simpatie” ndaj DAESH-it, ndërsa më pas nga kabineti i Cameron-it publikuan njoftimin ku kërkohet falje. Siç thekson Sky News, në njoftim theksohet se “lidhur me akuzat e kryeminstrit dhe komentet e tij për Gani-an, Cameron kërkon falje për keqkuptimet”.
Gani më herët për AA deklaroi se akuzat e kryeministrit britanik kanë qenë “raciste dhe islamofobike”.











































