Rusia, ekonomia e së cilës po përjeton ditë të vështira, në kuadër të operacioneve në Siri, deri në muajin mars ka shpenzuar afërsisht 700 milionë dollarë, ndërkohë që për shkak të vazhdimit të operacioneve kjo faturë do të vazhdojë të rritet, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në deklaratën që e bëri javën e kaluar, shpalosi se që nga 30 shtatori kur filloi intervenimi rus në Siri, Rusia ka realizuar më shumë se 10 mijë fluturime, me çka ka goditur mbi 30 mijë objektiva, ka lëshuar nga ajri dhe deti 115 raketa të komanduara dhe janë realizuar 178 fluturime për bombardime me rrezatim të gjatë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit të AA-së, Ben Moores, analisti për çështjet e aviacionit dhe sigurisë në organizatën ndërkombëtare për kërkime - IHS, theksoi se njësitet ruse ende vazhdojnë me operacione intensive dhe se fatura e operacioneve të Rusisë po rritet.
Duke u shprehur se nuk e konsideron shumë reale deklaratën e Putinit i cili kishte thënë se operacionet e Rusisë në Siri që përfshijnë periudhën 30 shtator 2015 – 15 mars 2016 kishin kushtuar 460 milionë dollarë, Moores tha se “Sipas llogaritjeve tona, kjo shifër sillet afër 700 mijë dollarëve.”
Ndërkaq, Ana Borshchevskaya nga Instituti për Hulumtime të Lindjes së Afërt në Washington tërhoqi vëmendje me supozimet se Rusia shpenzon afërsisht 4 milionë dollarë në ditë për shkak të operacioneve në Siri.
Borshchevskaya tha se është e vështirë të arrihet deri te shifrat e vërteta, porse Moska përpiqet që t’i realizojë qëllimet në Siri me çmimin më të ulët.











































