Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) të mërkurën bëri të ditur se në muajin maj gjatë përleshjeve në Siri janë vrarë 872 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e saj mujor, organizata joqeveritare me seli në Britani të Madhe, thekson se një e treta e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.
Po ashtu theksohet se 57 për qind e viktimave, prej të cilëve 498, janë vrarë gjatë sulmeve nga ana e regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësve të tij. Në mesin e këtyre viktimave 73 janë gra dhe 89 fëmijë, ndërsa 46 persona kanë vdekur si pasojë e torturës. Në raportin e SNHR-së theksohet se 49 civilë sirianë, në mesin e të cilëve gjashtë gra dhe 15 fëmijë, janë vrarë gjatë sulmeve ruse.
Në periudhën e njëjtë edhe gjashtë civilë, në mesin e të cilëve është një fëmijë, janë vrarë nga ana e PYD-së, dega siriane të organizatës terroriste PKK, ndërsa 178 persona, prej të cilëve 38 gra dhe 21 fëmijë, janë vrarë gjatë sulmeve të pjesëtarëve të DAESH-it.
Më tej shtohet se pesë civilë janë vrarë nga sulmet e Frontit Nusra, ndërsa 91, në mesin e të cilëve 31 gra dhe 19 fëmijë, nga ana e grupeve të armatosura rebele siriane. Siç thekson SNHR, 15 persona, duke përfshirë tre gra dhe tetë fëmijë, janë vrarë gjatë sulmeve të koalicionit ndërkombëtar për luftë kundër DAESH-it.
Në fund të raportit të SNHR-së theksohet se 30 civilë, në mesin e të cilëve katër gra dhe dy fëmijë, humbën jetën gjatë sulmeve të ndryshme me bomba të cilat i kryen sulmues të panjohur.
Siria gjendet në luftë civile nga viti 2011, kur regjimi i Asadit me forcë shtypi protestat prodemokratike. Që atëherë, sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 250.000 persona janë vrarë, ndërsa dhjetë milionë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.











































