Si pasojë e sulmeve ajrore të ndërmarra në qytetin Haleb në veri të Sirisë, sipas të dhënave paraprake mësohet se janë vrarë 56 civilë, ndërsa janë plagosur 220 persona të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që ka dhënë për gazetarin e AA-së, Nexhip Ensari, një prej zyrtarëve nga ekipi i mbrojtjes civile të cilët kryejnë punimet e kërkim-shpëtimit në Haleb, theksohet se avionët luftarakë të Rusisë dhe regjimit kanë kryer sulme intensive ajrore në lagjet Bustan el Kasr, Meshhed, Kellese, Salihijin dhe Firdevs në qendër të qytetit të cilët ndodhen në rrethimin e forcave të Asadit.
Sipas të dhënave paraprake të ekipeve të mbrojtjes civile që kryejnë punimet për heqjen e rrënojave pas sulmeve me objektiv vendbanimet e civilëve, theksohet se kanë humbur jetën 56 civilë në mes të cilëve ndodhen gra dhe fëmijë.
Si pasojë e bombardimeve mësohet gjithashtu se janë plagosur edhe 220 civilë të tjerë si dhe shumë ndërtesa kanë pësuar dëmtime të rënda.
Gjithashtu bëhet e ditur se mund të rritet numri i personave të vrarë teksa punimet për heqjen e rrënojave po vazhdojnë me mundësi të kufizuara, ndërsa po transportohen në spitalet e improvizuara edhe personat e plagosur.
Në sulmet ajrore të ndërmarra ditën e djeshme nga regjimi i Asadit dhe Rusia ndaj vendbanimeve civile në Haleb humbën jetën 86 civilë dhe u plagosën afërsisht 200 të tjerë.











































