Eprorë e ushtarë të ushtrisë serbe, 18 vjet pas Betejës së Koshares, flasin për tmerrin dhe humbjet që kanë përjetuar në luftimet me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një tribunë të organizuar në Beograd me temën “Beteja e Koshares”, raporton “Telegraf.rs”, ushtarakët serbë kanë treguar se beteja për Kosharen ka zgjatur 67 ditë dhe se një betejë e tillë nuk mbahet mend.
Koloneli Ljubinko Gjuroviq, komandant i njësitit për mbrojtjen e Koshares, duke kujtuar atë kohë thotë se në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri atëherë kishin 1,357 luftëtarë, por thotë se ishte e pamundur të mbrohej Kosharja, kur përballë kishin 6000 luftëtarë të UÇK-së në vijën e parë dhe 2000 të tjerë në vijën e dytë dhe 34 tanke, transmeton Telegrafi.
“Kushtet atmosferike dhe gjeografike ishin të tmerrshme po aq sa armiku”, thotë ai.
Ndërsa, kapiteni Dushan Jokiq, komandant i togut për mbrojtjen e Koshares, thotë se deri në vitin 1999 kodrat e Dinarës dhe Velebitit janë përvoja e tij më e hidhur.
“Kam luftuar në Velebit, kam menduar se në malet Dinarike është më së vështiri, por ai që ua ka lënë emrin Bjeshkëve të Nemuna, ka pasur të drejtë… Atje ku ishte togu im, bora ishte deri në brez. Kur në atë lartësi binte mjegulla, atëherë të dukej sikur je në një planet tjetër. Jam mërdhirë i tëri. Ferri i Koshares kurrë mos u përsërittë”, thotë ai.
Vojislav Vukashinoviq ishte luftëtari më i ri serb, i cili në moshën 19-vjeçare kishte shkuar të shërbejë në ushtrinë e atëhershme jugosllave. Ai thotë se gjatë luftimeve ishte plagosur dhe në atë betejë e ka lënë gjysmën e kokës.
“Fatkeqësisht shokët e mi i kam lënë më 17 maj. Këtë kurrë nuk do t’ia falë vetes... Të gjithë 108 luftëtarët tanë kanë vdekur...”, thotë Vukashinoviq. /Telegrafi/