Në distriktin e Gjorgjias sot një javë do të mbahen zgjedhjet për të zëvendësuar ish-kongresmenin Tom Price, i cili mori detyrën si Ministër i Shëndetësisë në qeverinë Trump.
Ndër 12 kandidatët që u kualifikuan për garën, bie në sy një kandidat që përfaqëson komunitetin musliman, Dr. Mohammad Ali Bhuiyan. Dr. Bhuiyan njihet si një humanist i madh, akademik i pashoq, ekonomist i zellshëm, njeri i ndershëm dhe familjar, si njeri që çdoherë u del në ndihmë të tjerëve duke sakrifikuar jo rrallëherë edhe vetëveten.
Besimi në një Zot të vetëm dhe në të Dërguarit e tij e bën atë të palëkundur në rrugëtimin e tij për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët amerikanë.
Duke parë harxhimet enorme që kanë dalë jashtë kontrollit, ai premton se do të bëjë çmos për të zvogëluar ato dhe për të rritur konsumin e brendshëm duke e ngritur kualitetin dhe duke bindur investitorët nga e tërë bota për të investuar në këtë distrikt.
Ai premtoi se edhe pse është një Muhamed Ali i peshave të lehta do të luftojë për të mirën e qytetarëve si një kampion i kategorisë së rëndë.
Në debatin e tij të fundit në Atlanta të Gjorgjias, Dr. Bhuiyan u provokua nga gazetarja e CBS 46, Giovana Drpic, duke u pyetur se a është deklaruar ndonjëherë publikisht kundër islamit radikal dhe terrorizmit islamik, mirëpo Dr.Bhuiyan ia mbylli gojën me një retorikë të shpejtë.
"Siç e thatë dhe ju, unë jam një kandidat musliman, ne këtu kemi kandidatë të çdo besimi, asnjërit nuk i parashtrohen pyetje të tilla, ndërsa mua në çdo emision. Unë dënoj çdo formë të dhunës dhe ekstremizmit nga çdo komunitet dhe në çdo vend të Botës, ka tridhjetë vjet që unë dhe familja ime jetojmë në këtë vend, duke qenë shembull për të mirë dhe besoj po ashtu se besimtarët tjerë të të gjitha besimeve me po aq zell mundohen të jenë shembull për mirë. Për një mollë të kalbur nuk akuzohet një komunitet i tërë. Kur Timothy McVeigh bëri sulmet në Oklahoma nuk u akuzuan të gjithë të krishterët si terroristë, kështu që as ne muslimanët nuk duhet të akuzohemi për shkak të një molle të kalbur."
Vlen të përmendet se Dr. Bhuiyan është njëri nga tre kandidatët me më së shumti mbështetës në shtetin e Gjorgjias. / Shembulli.com