Lirohet Ramush Haradinaj

Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar, ka liruar sot Ramush Haradinajn, liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA). 

Gjykata ka refuzuar kërkesën që ai të ekstradohet në Serbi e cila e ngarkon atë për krime të luftës të kryera në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.

Seanca dëgjimore ka zgjatur vetëm disa minuta, ndërsa në të ishin të pranishëm bashkëpunëtorët më të afërt të Haradinajt.

“Është refuzuar kërkesa për ekstradimin tim. Nga tani jam i lirë dhe shkoj të marrë pasaportën time. Sot kthehem në Kosovë”, tha Haradinaj me t'u liruar nga gjykata.

Gjatë kohës së luftës në Kosovë, Haradinaj ka qenë njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për zonën e Dukagjinit.

Ai më 4 janar ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.

Më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse vendimi për të ishte shtyrë edhe në seancën e 9 shkurtit dhe 2 marsit.

Ramush Haradinaj tha më herët se është “peng politik” dhe se kërkesa e Serbisë për dorëzimin e tij Beogradit paraqet “kërkesë të drejtpërdrejt për luftë”.

Paraprakisht, Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni në vitin 2015 në bazë të urdhërarrestit të njëjtë, ndërkohë që më pas ishte liruar.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është marrë në pyetje edhe nga Gjykata e Hagës e cila e liroi nga akuzat për krime lufte. 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat