Në varrezën e Qendrës Memoriale të Srebrenicës - Potoçari, sot u bë falja e namazit të xhenazes së 71 viktimave të gjenocidit që ndodhi në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, "zonën e sigurtë" të Kombeve të Bashkuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Namazi i xhenazes u udhëhoq nga kryetari i Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovinës, Husein Efendi Kavazoviç.
Mijëra njerëz arritën në Potoçari për të përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Pas përkujtimit, në Potoçari u fal namazi i xhenazes, ndërsa pastaj filloi bartja e arkivoleve nga Qendra Memoriale.
Të mbijetuarit e Srebrenicës, familjarët e të vrarëve, miqtë dhe fqinjët bartën arkivolet e gjelbërta me mbetjet mortore të viktimave, të cilët pas më shumë se dy dekadave do të gjejnë qetësinë e fundit.
Viktima më e re që do të varroset sot në Potoçari është 15-vjeçari Damir (Kemal) Suljiç, eshtrat e të cilit u gjetën në një varrezë masive në Bljeçevë, kurse më i vjetri Ali (Huso) Salihoviç, i lindur në vitin 1923. Eshtrat e tij u gjetën në varrezën masive Zeleni Jadar dhe Pusmuliçi.
Në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës- Potoçari deri më sot janë varrosur 6.504 viktima të gjenocidit, ndërsa kërkohen edhe rreth një mijë të tjerë.