Simboli i pavarësisë së Kosovës, Adem Jashari, përkujtohet në 21 vjetorin e masakrimit të tij, bashkë me familjen dhe mysafirët, pasi forcat serbe rrethuan shtëpinë e tij në Prekaz më 5-7 mars të vitit 1998 gjatë luftës në Kosovë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Mbi 50 njerëz në mesin e të cilëve edhe Adem Jashari, një ndër themeluesit dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkujtohen me aktivitete të ndryshme në përvjetorin e "Masakrës së Prekazit" ose ndryshe e njohur edhe si "Epopjea e UÇK-së", në mbarë Kosovën si dhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut.
Adem Jashari u lind më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Drenicës.
Me fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990-ta, Ademi bashkë me shokët e tij duke u shqetësuar nga nacionalizmi serb, kishin formuar UÇK-në e cila më pas do të luante rol të rëndësishëm në pavarësinë e Kosovës.
Ai mori pjesë në radhët e para në lëvizjet popullore dhe të pavarësisë. Në vitin 1991 kaloi në Shqipëri ku edhe stërviti grupin e vullnetarëve ndërsa mori përsipër edhe detyrën e Komandës së Drenicës në UÇK.
Masakra e Prekazit
Ushtarët, policia dhe njësitet paramilitare serbe në vitin 1998 filluan një operacion kundër kosovarëve që kërkonin pavarësi. Në luftën në të cilën humbën jetën mijëra njerëz si dhe u zhvendosën qindra mijëra të tjerë, ishin kryer edhe shumë krime lufte.
Ngjarja e cila ndryshoi kahjen e luftës në Kosovës, ishte masakrimi i mbi 50 personave së bashku me Adem Jasharin.
Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ndodhi më 30 dhjetor 1991, kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari në Prekaz, si pasojë e së cilës pati humbje jetësh nga të dyja palët.
Në sulmin e dytë ndaj familjes Jashari më 22 janar 1998, dy persona nga kjo familje ishin plagosur.
Forcat serbe më pas më 28 shkurt të vitit 1998 kishin kryer sulme ndaj shtëpive për të cilat mendonin se kanë lidhje me familjen Jashari, si pasojë e së cilës humbën jetën 17 persona.
Më pas më 5 mars të të njëjtit vit, forcat serbe sërish rrethuan shtëpinë ku gjendej Adem Jashari dhe familja e tij me tanke dhe artileri të rëndë. Në përleshjet që vazhduan deri më 7 mars, forcat serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari dhe mysafirët e tyre, në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë.
Simboli i shqiptarëve të Kosovës
Pas vdekjes, Adem Jashari, u bë simboli i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit.
Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, e kishte dekoruar Jasharin me urdhrin "Heroi i Kosovës".
Shtëpia e famljes Jashari e shndërruar në rrënoja nga forcat serbe, pas pavarësisë së Kosovës ishte bërë shtëpi përkujtimore. Ndërsa përballë shtëpisë gjenden edhe varrezat e dëshmorëve që humbën jetën në sulm. Në fshatin Prekaz gjithashtu gjendet edhe një muze ku ekspozohen veshjet dhe gjërat e familjes Jashari.
Sot, Adem Jashari mbahet gjallë me një ndër fotografitë e tij të rralla të printuara në këmisha dhe sende të ndryshme.
Fotografia e "Che Guevara-s" shqiptare shpesh shoqërohet edhe nga thënia "Bac, u kry". Në çdo cep të rrugëve të Kosovës mund të haset emri ose fotografia e Adem Jasharit.
Ndërkohë edhe në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ka rrugë dhe buste në nder të komandatit të UÇK-së, Adem Jashari.
Emrin i tij e mban stadiumi i qytetit të Mitrovicës si dhe aeroporti në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ndërsa edhe në Turqi gjendet një park në nder të Adem Jasharit.
Lufta në Kosovë dhe shpallja e pavarësisë
Gjatë viteve 1998-1999 të luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 10 mijë kosovarë, nga të cilët mbi 8 mijë shqiptarë, ndërsa afro një milion njerëz, rreth 800 mijë prej të cilëve shqiptarë, u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre në Kosovë.
Më 24 mars në orën 20:00 NATO nisi “Operacionin e Forcave Aleate” që do të zgjaste deri më 10 qershor. Me përjashtim të Greqisë, të gjithë anëtarët e NATO-s kishin mbështetur operacionin. Operacioni po ashtu u mbështet edhe nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me 10 avionë të tipit F-16.
Kosova, rreth 10 vjet pas luftës, më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj. Sot Kosova njihet nga gjithsej 116 shtete./AA/