Erdoğan: Sulmi terrorist në Zelandë të Re, akt i organizuar

Çanakala

Sulmi i dyfishtë terrorist islamofobik në Zelandën e Re nga i cili të paktën 50 njerëz u vranë nuk është "një akt individual, por i organizuar", tha presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ne flasim edhe një herë nga Çanakalaja pas 104 vjetësh dhe themi se e kemi marrë mesazhin tuaj. Kuptuam se armiqësia dhe urrejtja juaj është gjallë...Ne jemi këtu, në Çanakala", tha Erdoğani gjatë ceremonisë me rastin e 104-vjetorit të Fitores në Betejën e Çanakalasë.

"Ne gjithashtu e kuptuam se çfarë lloj terroristi është ai që shpreh kërcënimin: 'Ju nuk do të kaloni nga ana e Anadollit në anën evropiane'", tha Erdoğani, duke shtuar se "ky nuk është një akt individual, por i organizuar".

"Do të jemi këtu deri në Ditën e Kiametit. Stambollin nuk do të mund ta bëni Kostandinopojë", theksoi presidenti turk.

"Deklaratat e birit të personit në krye të Izraelit janë të njëjta me ato të terroristit në Zelandë të Re. Ushqehen nga i njëjti burim", shtoi Erdoğan.

Ndërkaq, në një telefonatë drejtuar muslimanëve në Zelandën e Re, Erdoğani u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave të sulmit.

"Ne presim që qeveria e Zelandës së Re ta marrë këtë çështje seriozisht", tha Erdoğani.

"Nuk duhet të nënvlerësohet ashtu siç bëjnë vendet perëndimore", shtoi ai.

Të paktën 50 persona u vranë javën e kaluar kur një terrorist hapi zjarr mbi besimtarët gjatë namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch të Zelandës së Re.

Ndryshe, në Turqi dhe në vende të tjera të botës në mënyra të ndryshme do të shënohet 104-vjetori i Fitores në Betejën Detare të Çanakalasë. Beteja e Çanakalasë në Evropë është më e njohur si Beteja e Galipolit dhe është një nga betejat më të përgjakshme dhe më të ashpra të Luftës së Parë Botërore.

Beteja detare midis 3 nëntorit të vitit 1914 dhe 18 marsit të vitit 1915 në Galipoli, si dhe beteja tokësore që u zhvillua nga 25 prilli i vitit 1915 deri më 9 janar të vitit 1916, janë beteja që zënë vend të rëndësishëm në Turqi dhe në histori e gjithë popujve muslimanë të rajonit.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat