Izraeli do të ndërtojë më shumë se 20.000 shtëpi të reja në Kudsin e pushtuar Lindor në pesë vjetët e ardhshëm, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne nënshkruam një marrëveshje për ndërtimin e 23.000 njësive të reja të banimit në Kuds me një investim prej një miliard shekelë (276 milionë dollarë)", njoftoi Netanyahu në rrjetet sociale.
Ai pretendoi se Kudsi nuk është një "njësi akomodimi", por "kryeqyteti" i Izraelit.
Kanali izraelit 7 njoftoi se marrëveshja është nënshkruar nga Ministria e Financave, Administrata e Tokës e Izraelit dhe Komuna e Kudsit me pjesëmarrjen e Netanyahut.
Sipas marrëveshjes, lagjet në Kudsin e vjetër dhe të ri do të zhvillohen, një zonë e madhe do të ndahet për hapësirë për zyra dhe investime në infrastrukturë.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që asnjëherë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së përmes rezolutës 478 të miratuar në vitin 1980, e shpalli të pavlefshëm aneksimin e Kudsit Lindor dhe shpalljen e Kudsit si kryeqytet nga ana e Izraelit.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet hebreje në territoret e pushtuara palestineze konsiderohen të paligjshme.