Gjatë një fjalimi në Konferencën e 2-të Ndërkombëtare të Ombudsmanit të zhvilluar në rezidencën Dolmabahçe në Stamboll, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğani tha se "Asnjë fuqi dhe ndikim nuk mund të rrëzojë një vend që mbrohet nga populli i vet", raporton Anadolu Agency (AA).
"Në botën e sotme shohim se shtetet të cilat nuk krijojnë lidhje të fuqishme me qytetarët e tyre janë shumë më të pambrojtura nga ndërhyrjet e brendshme dhe ato të jashtme. Shtetet që nuk dëgjojnë zërin e njerëzve të tyre, që nuk kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre dhe që bëjnë të kundërtën duke u përpjekur të shtypin me mizori kundërshtimet mund të përballen me dhimbje dhe rrënime të mëdha", tha Erdoğani.
"Unë besoj se sa më shumë që të shumojmë, diversifikojmë dhe të bëjmë më efektiv kërkimin e së drejtës së popullit tonë përballë institucioneve tona publike, aq më i fuqishëm do të jetë shteti ynë", theksoi Erdoğani.
Në fjalën e tij, Erdoğani tha se kanë arritur të qëndrojnë të palëkundur dhe kanë rritur vazhdimisht fuqinë pavarësisht se prej vitesh janë përballur me sulmet e organizatës terroriste, me kurthe ekonomike dhe me shumë kërcënime.
Ai potencoi se Turqia është vendi që jep mbështetjen më të madhe për refugjatët ose për vendet më pak të zhvilluara në botë. "Dikush po bën përpjekje për ndarjen e naftës. Këtë na e propozuan edhe neve. Por, ne thamë se 'shqetësimi ynë nuk është nafta' por njeriu. Shqetësimi ynë është të shpëtojmë këta njerëz", shtoi Erdoğani.
Ndërkohë lidhur me luftën kundër terrorizmit, Erdoğani tha se "Nuk është e mjatueshme të mbajmë larg vetes organizatat terroriste. Ne po luftojmë me të gjitha organizatat terroriste si DAESH, Al-Kaida, PKK/YPG dhe FETO, të cilat kërcënojnë vendin tonë dhe botën. Me të gjitha këto përpjekje që kryen, Turqia nuk ofron vetëm sigurinë dhe qetësinë e saj, por, në të njëjtën kohë, po paguan edhe borxhin e ndërgjegjes së tërë komunitetit ndërkombëtar"./AA/