Edirne
Emigrantët e parregullt të cilët u kapën në Greqi pretendojnë se ata u rrahën dhe u kthyen në Turqi nga policia greke, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesëtarët e Policisë Kufitare dhe Xhandarmërisë kapën rreth 250 migrantë të parregullt nga Pakistani, Iraku, Maroku, Palestina dhe Afganistani në Edirne, qyteti turk afër kufirit me Greqinë, të cilët i dorëzuan në Qendrën e Migracionit.
Një grup migrantësh nga Pakistani në një intervistë për AA thanë se ata fillimisht u goditën nga policia greke dhe më pas u dërguan me forcë në Turqi.
Arbaz Khan tha se ai mbërriti në Turqi në mënyrë të paligjshme katër muaj më parë. Për një kohë ai punoi në Stamboll, nga ku u nis për në Edirne në përpjekje për të arritur në Evropë.
Përmes lumit Marica kaluan në Greqi
Një natë, ai bashkë me 20 persona të tjerë kaluan në Greqi përtej lumit Marica, por u kapën nga policia greke pas vetëm dy orësh ecje.
"Ata na kapën dhe na çuan në një vend. Së pari ata na morën telefonat dhe sendet e tjera me vlerë. Pastaj ata na morën këpucët dhe i hodhën. Ata na goditën, në këmbë dhe duar. Pastaj ata na çuan në një vend që dukej si kamp. Ne qëndruam atje për dy ditë, të uritur dhe të etur. Më vonë, ata na çuan në bregun e lumit dhe na detyruan një nga një të kalonim në anën turke", tha Khan.
Grekët trajtojnë keq emigrantët e parregullt
Musharraf Hussain nga Pakistani theksoi se emigrantët e parregullt të kapur në Greqi trajtohen shumë keq dhe në mënyrë çnjerëzore.
Ai tha se u kap në Greqi shtatë ditë më parë, dhe se ishte i uritur dhe i etur në komisariat për dy ditë, ku u rrah, dhe më pas ai u dëbua në Turqi përmes lumit Marica.
"Policia na rrahu dhe pastaj na çoi në bregun e lumit. Ata nuk mund të na dërgonin menjëherë përtej lumit sepse panë ushtarë turq nga ana tjetër. Më vonë ata na çuan në një vend tjetër nga ku na çuan në anën turke", tha Hussain.
Ai shtoi se ushtarët turq, nga ana tjetër, i trajtuan ata me shumë mirësi dhe madje u siguruan atyre furnizime themelore./AA/