Presidenti Rexhep Tajip Erdoan ka thënë se dhënia e Çmimit Nobel për Letërsi një personi racist nuk do të thotë asgjë tjetër veç se shpërblim i shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Presidenti Erdoan publikoi një mesazh me rastin e "10 Dhjetori, Ditës së të Drejtave të Njeriut".
Në mesazhin e tij, Erdoani theksoi se urrejtja ndaj islamit është një nga problemet kryesore që kërcënon paqen dhe stabilitetin global.
“Fajtorët kryesorë të kësaj çështjeje janë politikanët që përdorin urrejtjen ndaj islamit si një mjet votimi, mediat që normalizojnë gjuhën e urrejtjes nën emrin e lirisë së shprehjes dhe organizatat ndërkombëtare që nuk mund të zgjidhin problemet e sotme me strukturat e tyre ekzistuese”, bëri të ditur Erdoani.
Erdoani tha gjithashtu se shoqëria ndërkombëtare, e cila ka injoruar zërat e miliona njerëzve në Siri për 9 vjet radhazi, ka dhënë goditjen më të madhe vlerave të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
Kreu i shtetit turk reagoi ndaj dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi një personi racist (shkrimtarit austriak Peter Handke), ndërsa shtoi se “Dhënia e Çmimit Nobel për Letërsi një personi racist që mohon gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mbron kriminelët e luftës më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, nuk do të ketë kuptim tjetër përveç shpërblimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut”.
Erdogan në mesazhin e tij, në mes tjerash, thotë se Turqia me frymëzimin nga tradita shtetërore do të vazhdojë me reforma në demokraci dhe në fushën e të drejtave themelore të njeriut edhe gjatë periudhës së ardhshme./TRT/