Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, në një reagim në rrjetet sociale shkruan se kanë urdhëruar ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që ta bojkotojë këtë ceremoni.
“Duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken”, shkruan Cakaj në “Twitter”.
Ai thekson se çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe, sipas tij, relativizon peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit.
"Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi. Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë", thekson Cakaj.
Duke qenë se këtë vit Çmimin Nobel për Letërsi e fitoi austriaku Peter Handke, në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera pati reagime kundërshtuese.
Kujtojmë se edhe Republika e Kosovës nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Nobel për këtë vit.
Kush është Peter Handke?
Shkrimtari austriak Handke ka lindur në vitin 1942 në fshatin Griffen në rajonin Karnten në jug të Austrisë. Nga viti 1961 ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Grazit. Por i ndërpreu studimet disa vjet më vonë kur publikoi novelën, "Die hornissen", në vitin 1966.
Përzgjedhja e Handkes si laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 shkaktoi reagime në rajon dhe më gjerë.
Handke, i cili ishte një admirues i madh i Millosheviqit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë kishte shkruar: "Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë."
Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.
Ai gjithashtu kishte vizituar në burg Milloseviqin dhe kishte bërë përpjekje për të dëshmuar në favor të tij.
Handke po ashtu kishte marrë pjesë në varrimin e Millosheviqit në vitin 2006, ku në fjalim ishte shprehur: "Këtu jam për Jugosllavinë, Serbinë, Sllobodan Millosheviqin."/TRT/