Norma e zekatit të fitrit

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut të Madhërishëm, kurse salavatet dhe përshëndetjet tona ia dërgojmë pejgamberit tonë, Muhamedit paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.

Ky është një shkrim në të cilin do të mundohem që, me lejen e Allahut, të paraqes normën e Sheriatit, gjegjësisht mendimet e dijetarëve islamë, në lidhje me zekatin e fitrit.

Ekzistojnë dy mendime të dijetarëve në lidhje me normën e dhënies së zekatit të fitrit:

Mendimi i parë: Dhënia e zekatit të fitrit është farz ( obligative ). Ky është mendimi i katër medhhebeve (shkollave juridike islame), si dhe i shumicës absolute të dijetarëve islamë[1].

Argumentet:

1.       Hadithi që e transmeton Abullah ibn Omeri, Allahu e mëshiroftë, ku thotë: " Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka obliguar dhënien e zekatit të fitrit, një saë'[2] nga hurmat, apo një saë' nga elbi, për çdo person të lirë apo rob, mashkull apo femër nga muslimanët"[3].

    Ky hadith është bazë në kapitullin e zekatit të fitrit.

2.       Hadithi tjetër që e transmeton Abullah ibn Omeri, Allahu e mëshiroftë, gjithashtu, ku thotë: " Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka urdhëruar që dhënia e zekatit të fitrit të bëhet para se të dalin njerëzit për faljen e namazit ( namazit të bajramit )[4]"

   Urdhri që vjen nga Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, nënkupton obligueshmërinë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndryshohet nga ndonjë argument tjetër.

3.    Hadithi të cilin e transmeton Talha Ibën Ubejdilah, Allahu e mëshiroftë, ku përmend një njeri i cili erdhi te Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe e pyeti për Islamin. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i përmendi atij obligueshmërinë e pesë namazeve gjatë një dite dhe një nate, obligueshmërinë e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe obligueshmërinë e dhënies së zekatit. Në një pjesë të këtij hadithi thuhet: " Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i përmendi atij obligueshmërinë e dhënies së zekatit. Ai tha: A obligohem me diç tjetër (sa i përket dhënies nga pasuria)? Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, tha: Jo, vetëm nëse dëshiron ti vullnetarisht"[5].

   Shumica e dijetarëve thonë se zekati i fitrit bën pjesë në zekatin obligativ, të përmendur në këtë hadith[6], dhe në ajetet që urdhërojnë dhënien e zekatit të pasurisë[7].

4.       Ixhmai' ( koncensusi ) i dijetarëve rreth obligueshmërisë së zekatit të fitrit, siç e përmend Ibën el-Mundhiri, kurse  Is-haku e vlerëson sikurse ixhma'[8].

Përgjigje ndaj këtij argumenti:

   Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Pretendimi për ekzistimin e ixhmai't rreth kësaj çështjeje nuk është i qëndrueshëm[9].Kjo do të shihet gjatë përmendjes së mendimit të dytë dhe përmendjes së dijetarëve që e kanë atë mendim.

Mendimi i dytë:Dhënia e zekatit të fitrit është sunnet i fortë ( shumë e preferuar ). Ky është mendimi i disa prej malikive të vonshëm, i Ibën el-Lubbanit nga shafiitë, i Daud edh-Dhahiriut, i el-Esamit dhe Ibën Alijjete[10].

Argumentet:

Ky grup i dijetarëve ka argumentuar me një argument të mëvetësishëm dhe me disa prej argumenteve të mendimit të parë, duke i kuptuar ato si argumente për mendimin e tyre, dhe kjo si në vijim:

1.    Hadithi të cilin e transmeton Kajs ibn Sa'd, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thotë: "Na kishte urdhëruar i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, me zekatin e fitrit para se të vinte urdhri për zekatin (zekati i pasurisë). Pasi që zbriti urdhri për zekatin, as nuk na urdhëroi me zekat të fitrit e as nuk na ndaloi, edhe pse ne e praktikonim atë"[11].

Ky hadith tregon se urdhri i përmendur në hadithet paraprake, nga të cilët kuptohej obligueshmëria e zekatit të fitrit, është i abroguar (anuluar) nga ky hadith.

Përgjigje nga këtij argumenti:

Përgjigjja ndaj këtij argumenti është në dy drejtime:

a)      Ka mospajtim në mes të dijetarëve rreth vërtetësisë së këtij hadithi.

b)      Edhe sikur të jetë i saktë, nuk ka argument në të për anulimin e obligueshmërisë, sepse Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mund të jetë mjaftuar me urdhrin e parë (para zbritjes së urdhrit për zekat) dhe nuk ka pasur nevojë për përsëritjen e urdhrit. Pastaj themi se, ardhja e një urdhri nuk nënkupton anulimin e urdhrit tjetër[12].

2.       Hadithi i Ibëni Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilin e përmendëm më lartë, ku thotë: " Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka obliguar dhënien e zekatit të fitrit….".

Në këtë hadith është përmendur fjala arabe "fereda" e cila gjuhësisht nënkupton "ka përcaktuar", pra, Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka përcaktuar gjërat nga të cilat jepet zekati i fitrit dhe masa që duhet dhënë, e jo që ka obliguar atë[13].

Përgjigje ndaj këtij argumentimi:

Përgjigjja mund të jetë në dy forma:

a)    Është e vërtetë që kjo fjale në esencën gjuhësore do të thotë "ka përcaktuar", mirëpo kuptimi i fjalës është bartë nga ai etimologjik (gjuhësor) në atë terminologjik (sheriatik), dhe të kuptuarit e saj si "ka obliguar" është më i drejtë se sa "Ka përcaktuar"[14].

b)      Ajo që të bie në mend, më së pari, kur e lexon këtë shprehje është kuptimi sheriatik, do të thotë "ka obliguar", e jo "ka përcaktuar"[15].

3.    Hadithi i lartpërmendur, në të cilin Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i përmendi atij njeriu që kishte ardhur të pyeste rreth Islamit obligueshmërinë e zekatit. Ai pyeti: A obligohem me diç tjetër (sa i përket dhënies nga pasuria)? Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, tha: "Jo, vetëm nëse dëshiron ti vullnetarisht".

Ky grup i dijetarëve mendojnë se zekati i fitrit nuk bënë pjesë në zekatin obligativ të përmendur në këtë hadith, prandaj nuk është obligim, sepse hadithi mohon obligueshmërinë e çdo lloj zekati përveç zekatit të pasurisë, i cili është prej kushteve të Islamit. Gjithashtu mendojnë se, zekati i fitrit nuk përfshihet as në ajetet të cilat obligojnë zekatin e pasurisë[16].

Mendimi i saktë:

   Mendimi më i saktë rreth kësaj norme është mendimi i parë, për arsyet vijuese:

1.       Argumentet e këtij mendimi janë të forta, si në aspektin e vërtetësisë ashtu edhe në aspektin e domethënies dhe argumentimit.

2.       Përgjigjet e dhëna ndaj argumenteve të mendimit të dytë janë mjaft të qëndrueshme.

3.       Ky është mendimi i shumicës absolute të dijetarëve dhe vetëm një pjesë e vogël e dijetarëve nuk mendojnë kështu, siç u pa më lartë.

Allahu e di më së miri.

 

Shkroi: Arben Ahmetaj
Shembulli.com



1Duhet përmendur këtu se dijetarët e medhhebit hanefij mendojnë se dhënia e Zekatit të fitrit është vaxhib e jo farz, kjo në bazë të dallimit që ekziston në këtë medhheb në mes të farzit dhe vaxhibit, e që nuk ekziston te medhhebet tjera, mirëpo te të gjithët këto dy fjalë nënkuptojnë obligueshmërinë. Shih: Bedaiu' es-Sanai' 2/531, botimi: Dar el-Kutubu el-ilmijjetu, Meuahibu el-Xhelil 3/255, botimi: Dar Alemu el-Kutubi, El-Mexhmu' 1/1313, botimi: Bejtu el-Efkari ed-Deulijjeti, El-Mugni 4/281, botimi: Dar Alemu el-Kutubi. 

2Njësi matëse.

3 Sahihu el-Buhari, hadithi nr: 1504, Sahihu el-Muslim, hadithi nr: 984.

1 Sahihu el-Buhari, hadithi nr: 1509, Sahihu el-Muslim, hadithi nr: 986.

2  Sahihu el-Buhari, hadithi nr: 46, Sahihu el-Muslim, hadithi nr: 11.

[6] Shih: Bidajtu el-Muxhtehid 3/131, botimi: Dar el-Kutubu el-ilmijjetu.

[7]Siq janë ajetet: 43,83 dhe 110 nga sureja El-Bekaretu, si dhe ajete tjera në Kur'an.Shih: El-Minhaxh sherh Sahihi el-Muslim 7/61, botimi: Daru el-Ma'rifeti.

[8] Shih: El-Ixhmau', f: 46, botimi: Daru el-Muslim, El-Mugni 4/281.

[9] Shih: Fet-hu el-Bari 3/463, botimi: Daru es-Selam.

[10] Shih: Bidajtu el-Muxhtehid 3/131, El-Mexhmu' 1/1313, El-Mugni 4/281.

[11] Shih: Sunenu en-Nesaijj, hadithi nr: 2507, Sunenu Ibën Maxheh, hadithi nr: 1828.

[12] Shih këtë përgjigje në: Subulu es-Selam 4/51, botimi: Dar Ibën el-Xheuzijj, Nejlu el-Eutari  8/200, botimi: Dar Ibën el-Xheuzijj.

[13] Shih: Ihkamu el-Ahkami f:276, botimi: El-Mektebetu el-Asrijjetu.

[14]Referenca paraprake.

[15]Shih: Subulu es-Selami 4/51.

[16]Shih: Bidajtu el-Muxhtehid 3/131.