Dy vjet shembull

Sot, u bënë dy vjet që nga themelimi i portalit tonë, shembulli.com. Duke u munduar gjithnjë që të kontribuojmë sa më shumë në fushën e thirrjes islame, arritëm që edhe këtë vit t’ua mundësojmë vizitorëve tanë të nderuar të lexojnë shumë tekste të dobishme nga më të ndryshmet.

Me gjithë vështirësitë që i kaluam, mund të themi lirisht se viti që lamë pas ishte mjaft i suksesshëm, sepse gjatë këtij viti në këtë portal u publikuan artikuj të llojllojshëm islamë, lajme të ndryshme dhe shkrime tjera të dobishme nga fusha të ndryshme si shkenca, teknologjia, shëndetësia, madje edhe kuriozitete të shumta.

Përqendrimi ynë kryesor, pa dyshim, mbetet tek temat islame, e që gjatë këtij viti u publikuan qindra të tilla. Jemi përpjekur po ashtu t’ju sjellim lajme dhe informacione të ndryshme nga vendi dhe bota, përmes rubrikës “Lajme”. Lajmet e publikuara në këtë rubrikë zakonisht ishin të huazuara nga agjenci të ndryshme informative. Rubrikë tjetër mjaft aktive ishte edhe rubrika e opinioneve, ku jemi munduar të jemi sa më të hapur në publikimin e shkrimeve të ndryshme autoriale.

Bashkëpunimi me individë dhe faqe të tjera, edhe gjatë këtij viti, ishte njëri ndër faktorët kryesorë që portalin Shembulli e bëri edhe më të fuqishëm. Këtu patjetër duhet përmendur dhe falënderuar çiltërsisht faqen “ISLAMI, feja e Vërtetë!” për një bashkëpunim shumë të mirë dhe korrekt. Njëherazi falënderojmë edhe të gjithë ata hoxhallarë dhe autorë tjerë të ndryshëm, shkrimet dhe përkthimet e të cilëve patët rastin t’i lexoni në portalin Shembulli gjatë kësaj kohe.

Një falënderim të veçantë jua dërgojmë të gjithë juve vizitorë të nderuar, që me vizitat tuaja bëtë që Shembulli.com, falë Allahut, të radhitet ndër faqet më të vizituara në mesin e faqeve të llojit të saj.

Gjithashtu, falënderojmë edhe kompaninë “VIVA4 Solutions”, e cila u kujdes për të gjitha shërbimet e internetit, që mundësuan që faqja jonë të funksionojë ashtu si duhet.

Falënderimi ynë më i madh pa dyshim që i takon Allahut të Lartësuar!

Lusim Zotin të na mundësojë që gjithnjë të jemi shembull i së mirës!

Amin!