Nga Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Me të vërtetë vërtetësia shpie në bamirësi dhe pa dyshim që bamirësia udhëzon për në Xhennet.

Vërtet, njeriu vazhdon me vërtetësi deri sa të bëhet i vërtetë (siddijk), ndërsa gënjeshtra çon në mëkate, e pa dyshim që mëkatet shpijnë në zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa të shkruhet te Allahu gënjeshtar."

Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Ky është termi i Buhariut

Domethënia e hadithit

Vërtetësia është prej cilësive të lavdëruara, për të cilën Allahu i Lartësuar urdhëroi besimtarët në librin e tij, duke thënë:

يَأَيُّها الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقوا اللهَ وَ كونوا مع الصَّادِقِينَ

O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe jini me ata të drejtit! (09: 119)

I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, nxiti në vërtetësi dhe bëri të qartë mirësinë e saj në shumë hadithe. Ndërsa, në këtë hadith na e bëri të qartë se vërtetësia ia hapë muslimanit dyert e së mirës, të cilat e fusin pronarin e tyre në xhenet dhe se atë që është i pajisur me të e donë Allahu dhe njerëzit.

E kundërta e vërtetësisë është gënjeshtra, nga e cila na ka ndaluar Allahu në Kur'an dhe na ka ndaluar edhe i Dërguari i Tij, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Në këtë hadith, i Dërguari, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, na e bëri të qartë se gënjeshtra çon praktikuesin e saj në mëkate të cilat e fusin vepruesin e tyre në zjarr dhe se ai i cili gënjeshtrën e merr për zakon të vetin bëhet prej gënjeshtarëve, të cilët meritojnë dënimin e Allahut dhe  bëhet i urryer tek Allahu dhe krijesat e tij.

Prandaj, detyrë jona është që të pajisemi me vërtetësi dhe të largohemi nga gënjeshtra, në mënyrë që Allahu të jetë i kënaqur me ne dhe të na fusë në xhenetin e Tij.

Dobitë e hadithit

1. Pajisja me vërtetësi në fjalë dhe vepra.

2. Lënia e gënjeshtrës edhe nëse është e vogël.

3. Përfundimi i të vërtetëve është Xheneti, ndërsa përfundimi i gënjeshtarëve është zjarri.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad