Dëshmia “Muhammedun Resulullah”

Argumenti i kësaj dëshmie:

Fjala e Allahut:
Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.1

Po ashtu fjala e Allahut:

Allahu e di se ti je i dërguari i Tij,...2

Domethënia e saj:

Vërtetim i plotë nga thellësia e zemrës, i cili përputhet me fjalët që i shqipton gjuha se Muhamedi është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij tek të gjitha krijesat, njerëzit dhe xhinët.

Shtyllat e kësaj dëshmie:

1. Pranimi se Muhamedi është i dërguar i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.

Argument për këtë është thënia e Allahut: Muhamedi është i Dërguar i Allahut.3

2. Besimi se Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, është rob i Allahut.

Allahu e përshkroi atë si rob në çështjet më madhështore, ku bën pjesë çështja e thirrjes në rrugën e Allahut, duke thënë: Kur robi i Allahut (Muhamedi), u ngrit t’i lutej Atij, ata (xhinët) u tubuan rreth tij si shtëllungë.4

Pra, ai është i dërguar që nuk përgënjeshtrohet dhe rob që nuk adhurohet.

Kushtet e kësaj dëshmie:

1. Vërtetimi i çdo gjëje për të cilën na ka lajmëruar Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.
2. Bindja ndaj urdhrave të tij.
3. Shmangia nga ajo prej së cilës na ka ndaluar.
4. Adhurimi i Allahut vetëm në mënyrën që ai e ka ligjësuar.

 

Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

 

 

1. Sureja et-teube 128.
2. Sureja el-munafikunë 1.
3. Sureja el-fet’h 29.
4. Sureja el-xhinn 19.


Revista Shembulli