Në sunenin e Darimiut thuhet: Sulejman ibn Abdul-Meliku (prijësi i besimdrejtëve) vizitoi Medinën, qëndroi disa ditë në të dhe pyeti: “A ka mbetur në Medine ndokush që ka takuar shokët e të Dërguarit, paqja e Allahut qoftë mbi të?"
Normal 0 false false false EN-US X-NONE AR-SA MicrosoftInternetExplorer4
Të pranishmit u përgjigjën: “Po, Ebu Hazimi.”
Halifja (prijësi i myslimanëve) dërgoi dikë që ta thërrasin atë. Kur hyri i tha: “O Ebu Hazim, ç’është kjo ftohje ndaj nesh?!”
Ebu Hazimi: “O udhëheqës i besimtarëve, ç’farë ftohje ke parë tek unë?
Prijësi: “Më kanë vizituar personalitetet e Medines, kurse ti nuk më erdhe!”
Ebu Hazimi: “O udhëheqës i besimtarëve, kërkoj mbrojtje tek Allahu për ty, që të mos thuash diçka që nuk është ashtu. Nuk më ke njohur para kësaj dite e as unë nuk të kam parë para ditës së sotme.”
Halifja i muslimanëve iu drejtua Muhamed ibn Shihab Ez-zuhriut duke thënë: “Të vërtetën e tha, kurse unë gabova.”
Prijësi: “O Ebu Hazim, përse e urrejmë vdekjen?”
Ebu Hazimi: “Sepse keni shkatërruar ahiretin, kurse keni ndërtuar dunjanë, kështu që urreni të kaloni prej asaj që keni ndërtuar në atë që keni shkatërruar.”
Prijësi: “Të vërtetën e the! Si do të dalim nesër para Allahut?”
Ebu Hazimi: “Kthimi i atij që ka bërë mirë është sikur ai që braktis familjen për një periudhë kohore, pastaj kthehet. Kurse, kthimi i atij që ka vepruar keq është sikur i arratisuri që kthehet tek zotëria i tij.”
Pas kësaj prijësi i muslimanëve filloi të qajë.
Ebu Hazimi: “Shiko veprat tua në librin e Allahut (në Kur’an)!”
Abdul-Meliku (prijësi): “Në ç’vend?”
Ebu Hazimi: “E s’ka dyshim se të mirët janë në kënaqësinë e përjetimeve (në xhennet), dhe se mëkatarët janë në xhehenem.” (El-Infitar: 13-14).
Prijësi: “Ku ta gjej mëshirën e Allahut?”
Ebu Hazimi: “Afër vepërmirëve.”
Prijësi: “Cilat janë veprat më të mira?”
Ebu Hazimi: “Kryerja e veprave të detyrueshme dhe shmangia nga veprat e ndaluara.”
Prijësi: “Cila është lëmosha më e pranuar?”
Ebu Hazimi: “Lëmosha e atij që ka pak, pa u krenuar dhe ofenduar.”
Prijësi: “Cila është fjala më e drejtë?”
Ebu Hazimi: “Fjala e vërtetë atij që i frikësohesh dhe e do.”
Prijësi: “Cilët janë njerëzit më të mençur?”
Ebu Hazimi: “Njeriu që punon mirë dhe i urdhëron të tjerët për vepra të mira.”
Prijësi: “Cilët janë njerëzit më injorantë?”
Ebu Hazimi: “Ai që përkrah vëllanë e tij kur ai është gabimtar. Në këtë mënyrë e shet ahiretin e tij me dunjanë e të tjerëve.”
Prijësi i besimtarëve: “Të vërtetën e ke thënë, mirëpo çfarë thua për ne?”
Ebu Hazimi: “Më lejo që të hesht?”
Prijësi: “Jo, dua të na këshillosh.”
Ebu Hazimi: “Me të vërtetë, paraardhësit tu kanë detyruar njerëzit me forcë, ua kanë marrë mbretërinë pa pëlqimin e myslimanëve. Po t’i kishe dëgjuar se ç’flasin dhe ç’thuhet për të parët tu do ta kuptoje.
Një prej të pranishmëve u ngrit dhe tha: “Sa fjalë të këqija që thua, o Ebu Hazim.”
Ebu Hazimi iu drejtua atij duke thënë: “Po gënjen! Vërtet, Allahu ka marrë besën prej dijetarëve se do ta thonë të vërtetën dhe nuk do ta fshehin atë.”
Prijësi: “Atëherë, si të përmirësohemi?”
Ebu Hazimi: “Të largoheni nga mendjemadhësia, të jeni zemërgjerë dhe ta ndani pasurinë me drejtësi.”
Prijësi: “Pse nuk na shoqëron o Ebu Hazim, të përfitosh nga ne dhe të përfitojmë nga ti?”
Ebu Hazimi: “Allahu na ruajt! Kam frikë se do të mbështetem sado pak te ju, pastaj Allahu më bën të dobët në jetë dhe vdekje.”
Prijësi: “Kërko çfarë ke nevojë!”
Ebu Hazimi: “Të më shpëtosh nga zjarri dhe të më futësh në xhennet.”
Prijësi: “Këtë mundësi nuk e kam.”
Ebu Hazimi: “Nuk kam tjetër nevojë.”
Prijësi: “Atëherë, lutu për mua.”
Ebu Hazimi: “O Allah nëse Sulejman ibën Abdul-Meliku është prej atyre që e do, atëherë lehtësoja të mirat e dunjasë dhe ahiretit, e nëse është prej armiqve tu, atëherë fale atë dhe lehtësoja veprat e mira me të cilat je i kënaqur!”
Pasi që doli nga ai, Prijësi i besimtarëve ia dërgoi Ebu Hazimit një dhuratë të çmueshme, mirëpo edhe atë e ktheu mbrapsht dhe i shkroi prijësit: “Nëse kjo pasuri është kompensim për atë që të këshillova, ngordhësira dhe mishi i derrit kur je i detyruar është më e lejuar për mua. Kurse, nëse është pjesë imja nga “bejtul-mal” (pasuria e muslimanëve), atëherë si unë ka shumë të tjerë, andaj ndaj me drejtësi, përndryshe nuk kam nevojë për të!”
Shkëputur nga libri i dijetarit të shquar Ali Tantavi (Allahu e mëshiroftë).
Përktheu: Fitim Hasani