Qëndrimi juridik i Islamit mbi abortin pas fryrjes së shpirtit

Feja islame e trajton abortin krim kundra njerëzimit, kurse në anën tjetër i ka mundësuar embrionit që t’i gëzojë të drejtat e foshnjës së lindur, pra duke e konsideruar këtë si pasuri që duhet të ruhet dhe njëherazi do të merret në pyetje Ditën e Gjykimit, nëse keqpërdoret.

Ndër të drejtat që Islami i garanton embrionit në këtë fazë të zhvillimit janë ringjallja para Allahut dhe kërkimi i llogarisë ndaj kriminelëve nëse vritet pa faj; përkujdesja e ruajtjes së shëndetit të femrës me barrë dhe lirimi i saj nga obligimet që mund ta rrezikojnë barrën, si p.sh. lirimi nga agjërimi i Ramazanit; ndalimi i martesës së femrës me barrë, nëse shkurorëzohet përfundimisht - pa kthim, apo i vdes burri, derisa ta lirojë barrën; ndalohet ekzekutimi i dënimit mbi femrën shtatzënë, nëse shtatzënia rrjedh si rezultat i prostitucionit, derisa të lirohet barra dhe të përfundojë gjidhënia.

Para se të flasim mbi trajtimin e abortit nga këndvështrimi islam, është e rrugës që shkurtimisht ta qartësojmë se kur faktikisht është koha e fryrjes së shpirtit te fëmija.

Ju bëjmë me dije se fetarisht nuk kemi të dhëna të shumta për shpirtin, e kemi fjalën rreth materies së përmbajtjes së tij, nuk janë dhanë argumente se prej çfarë materie Allahu e ka krijuar shpirtin, çfarë peshe ka, etj.. Është sekret ndër sekretet e Allahut, i Cili nuk i dha njeriut shumë dituri për të, siç thotë Allahu në Kuran: “Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve u është dhënë fort pak dije.” (El-Isra, 85)

Filozofët dhe shkencëtarët e vjetër mjaft janë orvatur që të sjellin të dhëna rreth shpirtit, por nuk kanë sjellë asgjë më tepër sesa na ka njoftuar Kurani, prandaj dhe gjurmimi rreth kësaj çështjeje është i pafrytshëm.

Imam Neveviu në shpjegimin e koleksionit të Imam Muslimit thotë: “Shpirti është një trup i padukshëm që qarkullon në trupin e njeriut dhe është i ngjitur për të siç është i ngjitur uji për bimën e njomë.” (Sahih Muslim 18/278)

Disa dijetarë islamë thonë se ngjitja e shpirtit me trupin është në katër mënyra:

A) Ngjitje në mitrën e femrës, e cila është ngjitje e dobët, ngase jeta në të është në favor të trupit, prandaj ngjitja e shpirtit për trupi gjithashtu është e dobët.

B) Ngjitja në jetën e kësaj bote, ku jeta në këtë fazë është në favor të trupit, kurse shpirti i bashkëngjitet atij, prandaj ngjitja e shpirtit në këtë fazë është e arsyeshme me qëllim që të qëndrojë trupi në këtë botë.

C) Ngjitja e tij mbas vdekjes- jeta në varr, ku jeta në të është në favor të shpirtit, kurse trupi i bashkëngjitet atij.

D) Ngjitja e shpirtit me trupin pas ngritjes së njerëzve për t’u llogaritur para Allahut xh.sh. Ditën e Gjykimit. Kjo është ngjitja më e plotë, jeta është për të dyja edhe për trupin, edhe për shpirtin dhe ky është lloji më i madh i ngjitjes.

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme rreth çështjes se kur ndodh fryrja e shpirtit te fëmija. Ne po i veçojmë tri mendime si më të njohura nga juristët islamë të kaluar dhe të tanishëm:

Mendimi i parë: Shpirti i fryhet fëmijës pas kalimit të njëqind e njëzet ditëve pas fekondimit. Ky është mendimi absolut i juristëve islamë nga e kaluara dhe e tanishmja. Lidhur me këtë shumë juristë sjellin edhe konsensusin islam, siç janë: Ibën Abidini, Kurtubiu, Neveviu, ibën Kudame, etj.. Njëherazi Ibën Haxheri na sjell edhe konsensusin e mjekëve në kohën e tij.

Argumentet e këtij mendimi:

Ndër argumentet më të fuqishme është hadithi vijues, në të cilin qartazi tregohet se shpirti frymohet në përfundim të periudhës së fundit të zhvillimit, që është plotësimi i muajit të katër dhe hyrja në të pestin - 120 ditë.

Transmetohet nga Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, se ka thënë: “Na ka treguar i Dërguari i Allahut alejhis selam, i cili gjithnjë fliste të vërtetën dhe të cilit i besohet, se: “Vërtet çdonjëri prej jush formohet (tubohet krijimi i tij) në barkun (mitrën) e nënës së tij dyzet ditë si pikë (nutfetun), pastaj shndërrohet në gjak të ngjizur (alekatun) ngjashëm me këtë periudhë, pastaj transformohet në copë mishi (mudgatun) ngjashëm me këtë periudhë. Pastaj, Allahu dërgon një engjëll, i cili fryn në të shpirtin dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: riskun e tij – furnizimin, exhelin e tij – sa do të jetojë, punët që do t’i kryejë dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë.

Pasha Allahun, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet me të drejtë), ndonjëri nga ju do të punojë vepra nga veprat e banorëve të xhenetit, derisa të mbetet mes tij dhe xhenetit vetëm një kut hapësirë (mjet matës me gjatësi prej 64 deri në 80 cm.), do të ndodhë ajo që është e caktuar më parë në libër dhe ai punon punë prej punëve të banorëve të xhehenemit dhe do të hyjë në të. Disa të tjerë nga ju do të punojnë vepra nga veprat e banorëve të xhehenemit, derisa të mbetet mes tij dhe xhehenemit vetëm një kut hapësirë, do të ndodhë ajo që është e caktuar më parë në libër dhe ai punon punë prej punëve të banorëve të xhenetit dhe do të hyjë në të.” (Buhariu dhe Muslimi)

Mendimi i dytë: Shpirti i fryhet fëmijës pas kalimit të njëqind e tridhjetë ditëve. Këtë mendim e mbron Ibën Abasi, Said ibën Musejibi dhe Ahmedi në një transmetim.

Argumentet e mendimit të dytë:

1) Kanë argumentuar me citatin kuranor i cili flet mbi kohën e pritjes - idetin e grave që u ka vdekur burri.

Allahu xh.sh. thotë në Kuran:

“E ata që vdesin dhe lënë gra pas veti, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë...” (El Bekare, 234)

Për mënyrën e argumentimit me këtë citat Katade thotë: “E kam pyetur Said ibën Musejibin rreth dhjetëshit në këtë citat e më tha: “Në të frymohet shpirti te fëmija.”

2) Transmeton Ibën Abasi r.a., duke thënë: “Kur fara – sperma të hidhet në mitër, qëndron katër muaj e dhjetë ditë në të, e më pas i fryhet shpirti.” (Transmeton Lalekaiu fi usul elitikad 1060) Hadithi vlerësohet si i dobët sipas verifikuesit të haditheve të Xhamiu ulumi velhikem 1/163.

Mendimi i tretë: Shpirti i fryhet mbas kalimit të dyzet apo dyzet e pesë ditësh nga fekondimi.
Ky është njëri nga mendimet e njohura të Imam Ahmedit, një nga mendimet e Imam Shafiut, Said ibën Musejibit dhe Is’hakut. Të këtij mendimi janë edhe disa juristë islamë nga e kaluara dhe e tanishmja si dhe ky është mendimi i një pjese të madhe të mjekëve, në bazë të një vendimi të aprovuar në një simpozium të shoqatës së shkencave mjekësore islame mbajtur në Jordani në vitin 1413-1415 h.

Argumentet e mendimit të tretë:

1) Citati kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Për Allahun, Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj, atë (ajkë–baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues.” (Elmu’minun, 12-14)

Rreth mënyrës së argumentimit me këtë citat thonë këta dijetarë se fjala e Allahut në këtë citat “pastaj atë e bëmë krijesë tjetër”, mendojnë shumë komentues të Kuranit, se kjo është një argument i fryrjes së shpirtit pas përfundimit të kësaj faze dhe se gjatë fazave të zhvillimit s’ka fetusi shpirt, kështu që shpirti i fryhet mbas krijimit të eshtrave dhe organeve, e kjo ndodh mbas dyzet ditëve të para e kurrsesi pas dyzet ditëve të treta.

2) Duke marrë parasysh se janë transmetuar shumë transmetime nga hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. rreth formimit të fëmijës dhe fryrjes së shpirtit e kur të gjitha këto argumente i grumbullojmë, mund të nxjerrim se shpirti i fryhet fetusit brenda 40 deri 45 ditë nga fekondimi dhe ky është kuptimi më i afërm nga këto argumente.

Mirëpo, mendimi më i saktë ndër këto tri mendime është mendimi i parë, Allahu e di më së miri, se fëmijës i frymohet shpirti me plotësimin e 120 ditëve.


Sadat Rrustemi

Burimi: klubikulturor.com