Burgim të përjetshëm për vrasësin e të moshuarit në xhaminë e Dushkut vitin e kaluar

Edhe pse Prokuroria e Lushnjës nuk arriti dot të zbulojë motivin e vrasjes së 83-vjeçarit Shamshir Muça, rrethanat në të cilat u krye ky krim vitin e shkuar kanë bërë që gjykata ta dënojë me burgim të përjetshëm shtetasin Arjan Alla. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lushnjës renditen gjithë detajet e hetimit të kryer nga organi i akuzës e nga policia, provat e siguruara dhe deklarimet e dëshmitarëve e të të pandehurit Alla.

I pandehuri 39-vjeçar nga fshati Dushk i Lushnjës u akuzua e dënua me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera”. Duke qenë se ai pranoi gjykimin e shkurtuar, përfitoi uljen e një të tretës së masës së ndëshkimit, duke u dënuar përfundimisht me 25 vjet heqje lirie. Megjithëse familjarët e viktimës e cilësuan atëherë vrasjen e 83- vjeçarit Shamshir Muça si një mesazh kërcënues që i përcillej gjithë komunitetit mysliman, i pandehuri është përpjekur ta fshehë motivin dhe ka zgjedhur të heshtë duke u përpjekur të sillet edhe si i sëmurë mendor. I pyetur nga prokurorët, i pandehuri Arjan Alla ka shpjeguar se është ai që e ka kryer vrasjen e 83-vjeçarit Shamshir Muça. Por, Alla nuk ka pranuar të japë shpjegime në lidhje me arsyet përse e ka kryer një veprim të tillë duke thënë se ishin zënë për shkak se “xhamia ishte pis”. Në vendimin e gjykatës thuhet se i pandehuri nuk tregon pendim për veprimin e kryer, por përkundrazi justifikon veprimet e tij duke u shprehur se “ai (viktima) e meritonte”. Ngjarja në fjalë ndodhi pasditen e 12 prillit 2013, brenda ambienteve të xhamisë së fshatit Dushk. Në vendimin e gjykatës thuhet se nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se viktima ishte 83-vjeçari Shamshir Muça, i cili u gjet i shtrirë në mesin e sallës së lutjeve të xhamisë.

Nga këqyrja e afërt ka rezultuar se të ndjerit Shamshir Muça i kishin prerë fytin me një mjet prerës. Më pas autori e kishte zhveshur nga mesi e poshtë, ndërsa mbi dorën e djathtë të viktimës ishte vendosur një unazë floriri në formë rrethi e hequr nga dora e të ndjerit dhe mbi dorën e majtë ishin vendosur një orë dore, ku zinxhiri ishte i këputur si edhe syzet e 83-vjeçarit Muça. Po ashtu mësohet se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të trupit të viktimës janë gjetur disa pjesë metalike të zinxhirit të orës së dorës, i cili ishte këputur si dhe disa njolla me ngjyrë të kuqe si të gjakut, fakte të cilat tregonin se viktima ishte përpjekur të mbrohej nga sulmi i autorit. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor ka rezultuar se në trupin e viktimës e në fytyrë ka pasur shenja plage. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë të mprehtë, në këtë rast biçaku. Nga deklarimet e personave që tregojnë rrethana të hetimit rezulton se në momentin që i dyshuari ka qenë mbi trupin e viktimës Shemshir Muça është parë nga besimtarë të xhamisë që vinin për të kryer ritet e faljes. Kanë qenë këta besimtarë që kanë bërë edhe përshkrimin e karakteristikave fizike të tij dhe e çuan në burg. Arjan Alla, gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se e ka bërë krimin se dikush ia tha këtë, por që për organin e akuzës kjo dëshmi nuk tregon asgjë. Nga ana e grupit hetimor nuk u dha asnjë motiv për shkakun e vrasjes makabre./Panorama/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat