Ja çfarë thonë qytetarët për qeverisjen e re

Kosova në ditën kur bëri gjashtë muaj pa qeveri, zgjodhi qeverinë e re. Mos funksionimi i plotë i institucioneve qeverisëse natyrisht që ka ndikuar në drejtpërdrejtë tek qytetarët e Kosovës, shumë prej tyre në anketat e mëhershme shpreheshin të pashpresë për ndryshime në këtë vend, biles shumica shpreheshin që koha e humbur nuk ju falet politikanëve që i votuan.

Ndërkohë, sot kur u votua kryeministri dhe u zgjodh qeveria e re disa prej qytetarëve shprehen optimist që është koha e duhur që kjo qeveri të punojë në të mirë të qytetarëve dhe të kompensojë kohën e humbur.

Disa prej tyre thonë që në të ardhmen presin një ndryshim më të madh, pasi që dy partitë në koalicionin qeverisës janë më të mëdhatë nga votat e qytetarëve.

Qani Haliti, qytetar nga Prishtina, tha për KosovaPress, se qeveria e re do të punojë për popullin e saj edhe më shumë se sa që ka punuar, duke shtuar se do të japin edhe kontribut edhe më të madh për popullin shqiptarë.

“Pres që do të ketë një avancim shumë të madh për gjendjen dhe pozitën e popullit shqiptarë në Kosovë edhe sidomos për Kosovën”, ka thënë Haliti.

Mirëpo, edhe pse është i kënaqur me formimin e qeverisë së re, ai gjë të mirë nuk e konsideron zgjedhjen e Skënder Hysenit, ministër të Punëve të Brendshme duke thënë se ai më është harxhuar, madje mos zgjedhjen e Anton Çunit, ministër të Forcës së Sigurisë, e quan gabim shumë të madh.

Edhe Gani Muqiqi, qytetar nga Prishtina, pret që qeveria e re do të punojë në të mirë të qytetarëve.

“Po sigurisht se do të punojnë se këta kanë qenë edhe niher bashkë , mirëpo tash kanë mbledhur mend dhe besoj që ka me shku mirë ....Pak e ka prish ky Isa veç po...”, ka thënë ai.

Idriz Asllani, qytetar nga Prishtina, thotë për KosovaPress, se është momenti i duhur që kjo qeveri të tregojë veten me punë, pasi që, sipas tij, kushtet që Kosova të ec përpara janë krijuar.

“Patjetër se do të punojnë , është momenti i duhur tash që mos të zvarritet më tepër, situata pa qeveri deri tash është shumë brengosëse për popullin edhe për gjithë qytetarët tjerë. Besoj se janë bërë kushtet që të punojnë në të mirën tonë”, pohoi Asllani .

Mirëpo, ka edhe të tillë që për këtë qeveri as që duan të mendojnë duke thënë që vendi kohëve të fundit ka mbetur edhe pa rini, pasi të gjithë po ikin për në Evropë.

Ismet Fejzullahu, qytetar nga Prishtina, është njëri prej këtyre qytetarëve që thotë se deri më sot, e bilës as në të ardhmen, as që ka menduar e që do të mendojë për qeveritë.

“Pasha Zotin kurr s’kam mendu edhe kurrë deri sot asgjë s’ka, çka kemi pa deri sot asgjë. Rinia na ikën na shkun jashtë kuku për neve , në vend që mu qel puna këtu , këtu e ka hanger krejt këto organizatat janë mbet në sokak , po i shihni edhe vet çdo natë.... Pasha Zotin asnjë kokërr kurrë s’mendoj , po ishalla na ndihmojnë veç niher për niher s’ka kurgjo”,, ka thënë Fejzullahu.

Mark Nikaj, qytetar nga Prishtina, për qeverinë e re thotë se është shumë i zhgënjyer me koalicionin e ri, pasi që deri tash të dyja këto parti janë shtyre dhe e kanë fy njëra-tjetrën saqë shumë shpejt populli do ia dëgjojë zërin që edhe kjo qeveri do të prishet.

Nikaj tha se ka humbur gjithë besimin që qeveria e re do të punojë në të mirë të qytetarëve. /KP/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat