Kabineti i ri i Qeverisë së Kosovës zhvilloi mbledhjen e parë

Kabineti i ri i Qeverisë së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit të ri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e parë në të cilën është shqyrtuar Programi i Qeverisë dhe Plani Vjetor i Punës për vitin 2015, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fillim të mbledhjes, kryeministri Mustafa ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së re për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe iu ka shprehur mirëseardhje përfaqësuesve të “Listës Serbe” e cila përfaqëson komunitetin serbë nga tërë territori i Kosovës. “Unë e shpreh qëndrimin dhe vullnetin tonë, që të punojmë së bashku dhe që të gjitha çështjet e qytetarëve t’i zgjedhim nëpërmjet të institucioneve” ka thënë Mustafa dhe njëherësh ka falënderuar për punën e deritashme, ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe kabinetit të tij qeveritar.

Pas konstatimit se është konstituuar Qeveria, kryeministri i ri i ka njoftuar anëtarët e kabinetit të tij me Programin e Qeverisë. “Ky është Program i cili është harmonizuar plotësisht mes dy partive më të mëdha të koalicionit qeveritar dhe përfshijnë fushën e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe mirëqenies, fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor, fushën e agjendës evropiane dhe politikës së jashtme, arsimin, shkencën, kulturën, sportin dhe zhvillimin e rinisë, si dhe zhvillimin e shëndetësisë moderne” ka thënë kryeministri i ri, Mustafa dhe iu ka shpërndarë programin të gjithë anëtarëve të kabinetit për ta shqyrtuar secili, veç e veç, në mënyrë që të identifikohen prioritetet, si dhe afatet dhe kostoja e realizimit të tij. Pas shqyrtimit, Programi do të aprovohet nga Qeveria dhe do t’i prezantohet deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhje, kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe me angazhimet e përgatitjes së Planit Vjetor të Punës për vitin 2015, i cili duhet të finalizohet deri në gjysmën e muajit janar 2015. Plani i Punës 2015 ka të bëjë me përmbushjen e detyrave dhe obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Pyetësorit për Liberalizimin e Vizave.

Në mbledhjen e radhës, të parashikuar për të mërkurën më 17 dhjetor, do të rishqyrtohen dhe do të ri procedohen projektligjet e mbetura në procedurë në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që do të shqyrtohen edhe ligjet e rëndësishme siç janë: Ligji i për Gjykatën Speciale, Forcat e Armatosura dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftimet jashtë vendit.

Në fund të mbledhjes, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç, në emër të përfaqësuesve të komunitetit serb në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit konstruktiv dhe të sinqertë në të gjitha fushat e veprimit. Paraprakisht, një orë para fillimit të mbledhjes së parë të Qeverisë së re të Kosovës, është kryer ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës së kryeministrit, nga Hashim Thaçi tek Isa Mustafa, ndërsa gjatë paraditës, po thuajse të gjithë ministrat e kabinetit të ri qeveritar, kanë pranuar detyrat nga paraardhësit e tyre.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat