Një fëmijë i moshës 6 vjeçare ka humbur jetën sot si pasojë e kafshimit nga qentë. Bëhet fjalë për djalin Driton Jasharaj nga Fushë Kosova, ku edhe kishte ndodhur ngjarja. Ai ishte kafshuar rëndë në qafë dhe në kokë. Mjekët në klinikën emergjente në QKUK thonë se viktima kishte arritur në emergjencë pa shenja jete. KosovaPress mëson se 6 vjeçari që humbi jetën është i komunitetit RAE dhe kafshimi nga qentë i është bërë tek banesat e bardha në Fushë Kosovë.
Mjeku kujdestar i cili e pranoj viktimën në klinikë, Ejup Govuri, tregon për KosovaPress, se plagët kanë qenë shumë të rënda. Andaj, me gjithë përpjekjet nuk kanë arritur t’i kthejnë shenja jete.
Mjekët në emergjencë thonë se rasti ishte jashtëzakonisht i rëndë. KosovaPress ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, ku edhe ka marrë konfirmimin për këtë rast.
Agron Borovci, zëdhënës për informim i Policisë Rajonale të Prishtinës, thotë se rreth orës 13:00 kanë marrë njoftimin për këtë rast. Ai nuk jep detaje, veçse tregon se viktima ishte rreth moshës 5 apo 6 vjeçare dhe rasti është lajmëruar se ka ndodhë tek banesat e bardha në Fushë Kosovë./Kosovapress/