Avionët luftarakë izraelitë sot herët në mëngjes kanë kryer dy sulme në një zonë të pabanuar në veri të Rripit të Gazës, për të parën herë pas 26 gushtit, por sulmet nuk shkaktuan viktima, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas dëshmitarëve, avioni izraelitë ka gjuajtur raketa në zonat e pabanuara në veri të qytetit Khan Younis, për herë të parë pas ndërprerjes së sulmeve të fundit izraelite, që zgjatën 51 ditë.
Sulmet shkaktuan ndërprerjet e energjisë elektrike, por edhe panik në mesin e qytetarëve në zonat më të afërta me vendin ku raketat ranë. Burimet e spitalit kanë konfirmuar për AA se në sulmet nuk ka pasur të plagosur apo të vrarë.
Agjencitë palestineze të sigurisë, ndërkohë kanë evakuuar hapësirat e tyre në mbarë Rripin e Gazës, nga frika se mund të ndodhin sulme të reja. Të premten, avionët izraelitë kanë fluturuar ulët mbi vendbanimet palestineze. Radio izraelite ka njoftuar se raketa e lëshuar nga Rripi i Gazës ka goditur Izraelin jugor.
Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin. Në ofensivën e fundit izraelite e cila filloi më 7 korrik dhe zgjati deri në 26 gusht janë vrarë 2.160 palestinezë, ndërsa mbi 11.000 janë plagosur.