Nga peroni numër tre i Stacionit të Autobusëve të Prishtinës sërish mbrëmë mori rrugë drejt Beogradit një autobus përplot me kosovarë, të cilët pa shpresë se ditë më të mira do të vijnë në Kosovë, ia mësyjnë Evropës edhe pse shumica nga ta e dinë që ka shumë mundësi që të kthehen mbrapsht nga shteti për ku janë nisur.
Ata thonë se është një rrezik që duhet ta ndërmarrin.
“Të paktën duhet ta provojmë, s’kemi zgjidhje tjetër. Nuk jetohet duke pritur lëmoshën e tjetrit, të gjithë janë ngushtë për vete”, tha për portalin Infokusi njëri nga të rinjtë teksa po ngjiste shkallët e autobusit.
Në mesin e atyre që mbrëmë lanë Prishtinën, kishte të rinj e të reja, familjarë së bashku me fëmijët e tyre dhe studentë që ishin në prag të diplomimit.
Njëri nga ta që familjarët e tij e thërrisnin Buq, kur pa ekipin e Infokusit që po fotografonin, u afrua dhe i tha dy fjalë duke u lutur që t’ia transmetonim mesazhin e tij qeveritarëve dhe atyre që fatin e Kosovës e kanë në dorë.
‘’Ne po ikim, e ju gëzojeni Kosovën. Sonte me ne nuk po ikë asnjë fëmijë i ndonjërit prej politikanëve, por po ikim ne, skamnorët dhe luftëtarët që dikur dham gjithçka për vendin’’, tha Buqi.
Kjo ikje masive e qytetarëve po vazhdon tash e sa muaj. Kryesisht arsyeja e ikjes së tyre është gjendja e rëndë socio-ekonomike.
Itinerari i rrugëtimit të qytetarëve kosovarë është nga të gjitha qytetet e Kosovës deri në Beograd, nga ku pastaj marrin rrugën për Suboticë dhe prej aty ia mësyjnë Hungarisë, pastaj nga ky shtet, kush në Gjermani, e kush në Francë e deri në Danimarkën e largët.