Mëngjesi i 30 dhjetorit të vitit 1991, ishte dita kur forca të mëdha policore serbe ia kishin mësyrë Jasharëve për të burgosur Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur.
Megjithatë qëndresa në familjen e Shaban Jasharit, nga formacioni i armatosur i Adem Jasharit, në historinë më të re të Kosovës paralajmëroi fuqishëm daljen në skenë të organizimit më të lartë kombëtar, politik e ushtarak për çlirim.
Nga 30 dhjetori i vitit 1991 lagjen e Jasharëve, e veçanërisht familja e Shaban Jasharit vazhdimisht është vëzhguar nga forcat policore dhe ushtarake të armikut, por Jasharët vazhdonin të jetonin me krenari në shtëpitë e tyre, në pronën e tyre, në Kosovën e tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe, me ndonjë mungesë të shkurtër, familjes Jashari dhe Prekazit i bënte roje vigjilente formacioni i armatosur i Adem Jasharit.
Në Prekaz asgjë nuk po zhvillohej spontanisht apo rastësisht. Familja Jashari vazhdonte jetën nën shtetrrethim të plotë, por e bindur në fitore.
Adem Jashari vite më parë ishte i organizuar në Lëvizjen Kombëtare, në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës më vonë të quajtur LPK.
Në fillim të viteve ’90, i kishte mbaruar përgatitjet ushtarake në Shqipëri me qëllim formimin e Ushtrisë së Kosovës për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe viseve tjera me Shqipërinë. Këtij qëllimi Adem Jashari dhe familja e tij do t’i qëndrojnë besnik e konsekuent deri në rënien e tyre të lavdishme me 5,6 e 7 mars 1998. /KP/