Protestohet kundër Jabllanoviqit në Fushë Kosovë dhe Pejë

Qytetarë protestuan të premten kundër ministrit Aleksandër Jabllanoviq, i cili i quajti egërsira nënat gjakovare që nuk i lanë të hyjnë në kishë pelegrinët serbë. Protestat u mbajtën në Pejë dhe në Fushë Kosovë.

Protestat kundër Jabllanoviqit fillimisht u mbajtën në Gjakovë, ndërsa sot për të dytën ditë me radhë është duke u protestuar edhe para Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve në Fushë Kosovë.

Kundër ministrit të Kthimit u protestua edhe në Pejë.

Qindra qytetarë të Pejës, të rreshtuar nën organizimin e shoqërisë civile kanë protestuar në Pejë, me kërkesën për shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq.

Protesta ka ardhur në mbështetje të ‘Nënave Gjakovare’, pas deklaratave fyese ditë më parë të ministrit Jabllanoviq.

Protestuesve në Pejë u janë drejtuar Veton Mujaj-Drejtor i OJQ ‘Syri i vizionit’ dhe Adnan Hysenaj një ndër organizatorët. Që të dy kanë kërkuar që Qeveria sa më parë të marrë vendim për shkarkimin e ministrit serb, raporton TV ‘Dukagjini’.‘Qeveri mos flejë-Shkarko ministrin Jabllanoviq’ ka qenë pankarta kryesore e protestës së sotme.

Pejanët kanë kërkuar nga kryeministri Mustafa që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe ta lirojë nga detyra Jabllanoviçin. Në protestë janë parë edhe fytyra eminente të qytetit të Pejës, nga jeta e sportit, kulturës dhe shoqërisë civile.

Deklaratën e Jabllanoviqit sot kryeministri Isa Mustafa e ka quajtur të pamatur.

Ndërkaq për të shtunën është paralajmëruar protestë edhe në Gjakovë.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat