Mediat gjermane raportojnë se ka filluar të shpërbëhet lëvizja Patriotët Evropianë Kundër Islamizimit të Perëndimit (PEGIDA) , e cila filloi me protesta në Dresden në tetor të vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pesë udhëheqësit të PEGIDA-s të cilët në ditët e kaluara janë ndarë nga lëvizja kanë marrë vendimin për themelimin e një organizate të ndarë. Ish-zëvendësi i kreut të PEGIDA-s, Rene Jahn ka konfirmuar për gazetën gjermane "Bild" se pesë persona të cilët e kanë braktisur lëvizjen do të themelojnë organizatë të re.
"Ne të pestë jemi ndarë nga administrata e PEGIDA-s. Do të themelojmë një organizate të re. Tashmë kemi dorëzuar një kërkesë për të mbajtur protesta më 9 shkurt. Të shtunën do të mbajmë një konferencë për shtyp në të cilën ne do të flasim për emrin e organizatës së re dhe se si ne do të vazhdojmë të veprojmë", tha Jahn. Në anën tjetër, PEGIDA gjithashtu planifikon të mbajë protesta më 9 shkurt.
Gazeta gjermane "Saechsiche Zeitung" njofton se lëvizja e re të thirret "Lëvizje e Demokracisë së Drejtpërdrejtë në Evropë", gjë të cilën e konfirmoi edhe Rene Jahn. Mediat gjermane raportuan më herët se PEGIDA po shpërbëhet për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet krerëve të lëvizjes. Disa udhëheqës të njohur të lëvizjes gjermane PEGIDA gjatë ditëve të kaluara kanë dhënë dorëheqjen.
PEGIDA bëri të ditur se zëdhënësja, Kathrin Oertel dha dorëheqje me pretendimin se ishte kërcënuar. Mediat gjermane raportojnë se anëtari i bordit drejtuar të lëvizjes, Thomas Tallacker është tërhequr për arsye pune. Gjithashtu, organizatori i PEGIDA-s, Bernd-Folker Linke ka deklaruar se ai së bashku me dy anëtarë të tjerë të lëvizjes dhanë dorëheqje.
Javën e kaluar bashkë-themeluesi i PEGIDA-s, Lutz Bachmann ka dhënë dorëheqje pasi mediat publikuan fotografinë e tij ku ai pozonte si lideri nazist Adolf Hitler. Mediat gjermane pretendojnë se disa udhëheqës kanë dhënë dorëheqje për shkak të ndikimit të madh në lëvizje që kishte Bachman si dhe veprimet gjithnjë më të intensifikuara nga lëvizja si motër në Lepzig e njohur si LEGIDA.
Analisti gjerman Hajo Funke ka deklaruar për mediat gjermane se PEGIDA nuk ka të ardhme dhe se tashmë ka filluar shkatërrimi i kësaj lëvizjeje. PEGIDA ka filluar me protesta më 20 tetor në Dresden ku morën pjesë rreth 350 persona, pas kësaj ka arritur popullaritet me shfaqjet kundër islamit dhe emigrantëve. Në protestat e lëvizjes, të mbajtura më 12 janar, morën pjesë 25 mijë njerëz. Në vendet tjera, sipas modelit të PEGIDA-s janë themeluar lëvizjet të tilla si BAERGIDA në Berlin, KOEGIDA në Koln, BAGIDA në Munchen dhe LAGIDA në Leipzig.