Po zbrazen edhe shkollat: Mbi 5,200 nxënës kanë ikur nga Kosova

Ikjet masive nga Kosova nuk kanë të ndalur. Rrugën e migrimit e kanë marrë edhe mijëra familje, fëmijët e të cilave i kanë lënë bankat shkollore. Konsiderohet se deri tash rreth 5,200 nxënës kanë braktisur shkollën, për të ikur në vendet e Perëndimit.

Azem Guri, këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit ka deklaruar se numri i nxënësve që kanë lënë bankat shkollore për t’u nisur drejt vendeve të perëndimit gjatë muajve të fundit është bërë shumë shqetësues.

“Sipas statistikave të fundit që posedon Ministria e Arsimit është një shifër alarmuese e nxënësve që kanë lënë bankat shkollore. Janë afro 5200 nxënës nga e gjithë Kosova që tashmë kanë emigruar”, ka thënë Guri.

Ai u shpreh se shifrat e fundit nuk janë definitive për arsye se numri i atyre që po e braktisin Kosovën çdo ditë e më shumë po rritet.

“Kjo shifër prej 5200 mund të jetë edhe më e madhe. Në këtë shifër janë kryesisht nxënësit deri në klasat e pesta dhe të gjashta”, ka deklaruar ai.

Të dhënat për braktisjen e shkollimit, që vijnë nga komunat e Kosovës, janë alarmante.

Prishtina prinë me numrin më të madh të nxënësve të ikur 822, Ferizaj 432, Podujeva 438, Vushtrri 406, Skënderaj 118 nxënës, Obiliq 140, Kaçaniku 155, Istogu 103, Shtime 106. Edhe nga Gjakova sipas këtyre statistikave kanë ikur një numër madh që është 400 nxënës. Ndërkaq nga Gjilani kanë ikur 350 nxënës.

Ndërkohë, deri në këtë periudhë numri i nxënësve që e kanë lënë shkollën është më i vogël në këto komuna: Dragash 6 nxënës, Fushë Kosova 21, Drenasi 22, Hani i Elezit 8, Kamenica 50, Klinë 56, Lipjan 338, Malishevë 52, Mitrovicë 30, Novobërdë 15, Pejë 13, Rahovec 40, Shtërpcë 3, Suharekë 53 dhe Vitia 50. /Indeksonline/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat