Sociologu Artan Muhaxhiri, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se arsyeja kryesore e largimit masiv të qytetarëve nga Kosova është humbja e besimit të tyre në shtetin e Kosovës.
“Kur qytetarët marrin çdo ditë informata për korrupsion në secilin institucion të rëndësishëm, përfshirë edhe gjykatat, Policinë, universitetin e të tjera, atëherë humbet shpresa se ky shtet mund të merret me mirëqenien e tyre”, thotë ai. “Prandaj, me shfaqjen e mundësisë së parë për t’u larguar nga Kosova, ka qenë e pritur që këta njerëz do të ikin”.
Kosova gjatë viteve të ‘90 të shekulli të kaluar ka qenë në varfëri të madhe dhe në shtypjen sistematike të shtetit serb, mirëpo ka ekzistuar një shpresë se një ditë gjithë kjo do të përfundojë, pasi armiku ka qenë i jashtëm.
“Në rastet kur armiku është i brendshëm, shpresa është shumë e vogël, sepse nuk ka alternativë bindëse të cilat mund t’i mbajnë qytetarët në Kosovë”, tha Muhaxhiri.
Në rastin e emigrimit aktual të qytetarëve të Kosovës, sipas tij, ka një lloj menaxhimi të padukshëm nga vendet evropiane. Ai thotë se është shumë e çuditshme që derisa publikisht këto vende dhe ambasadorët e tyre në Kosovë deklarojnë se nuk e përkrahin emigrimin, në aspektin konkret dhe në realitet ekziston një lloj pajtueshmërie e vendeve evropiane me këtë emigrim masiv.
“Me siguri ekziston një arsye e qartë se pse po lejohet ky emigrim, pikërisht në këtë moment dhe pikërisht nga Kosova. Mirëpo, derisa nuk kemi asgjë zyrtare, atëherë vetëm supozojmë. Por, është më se e sigurt se ky emigrim është i kontrolluar, është i menaxhuar dhe ka qenë i planifikuar”, thotë Muhaxhiri.
Po, nga kush është e kontrolluar kjo ikje masive e qytetarëve nga Kosova?
“Nga strukturat e Bashkimit Evropian dhe nga vendet të cilat janë duke e dhënë miratimin që këta emigrantë të shkojnë atje dhe të shpresojnë për një vend pune. Nuk duhet harruar që në të kaluarën ka pasur një regjim strikt ndaj emigrantëve dhe të gjithë ata emigrant që kanë shkuar në mënyrë ilegale janë kthyer për një kohë shumë të shkurtë, gjë që nuk po ndodhë me këtë valë masive aktuale të emigrantëve. Prandaj, shpjegimi dhe përgjigja duhet kërkuar nga autoritetet e BE-së, konkretisht nga vendet që po i pranojnë këta emigrant e ku spikatet Gjermania. Një ikje kaq masive nuk mund të bëhet në mënyrë të pakoordinuar, të paplanifikuar”, thotë Muhaxhiri.
Edhe më e rëndë, situata, mund të bëhet nëse këta qytetarë që po ikin nuk arrijnë të sistemohen në vendet ku kanë shkuar dhe nëse ata kthehen prapë në Kosovë.
“Një ikje kaq masive e vë në pyetje edhe mundësinë e kthimit të tyre në Kosovës, sepse nëse gjithë këta njerëz - flitet për 100 mijë apo 200 mijë që mund të shkojnë deri në fund të këtij procesi - kthehen të varfëruar dhe nuk u ofrohet asnjë perspektivë, atëherë gjendja në Kosovë do të jetë jashtëzakonisht e rëndë dhe mund të ketë edhe trazira të armatosura sociale”, u shpreh Muhaxhiri.
Qeveria nuk ka mundësi të ndikojë në ndaljen e ikjes masive të qytetarëve, ngase janë pikërisht këta politikanë që kanë kontribuuar më së shumti për krijimin e kësaj gjendje. Muhaxhiri thekson se institucionet e Kosovës nuk kanë as të drejtë morale t’ju kërkojnë qytetarëve që të mos ikin, sepse këto institucione nuk ofrojnë një jetë dinjitoze.
“Një pjesë të fajit e kanë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, të cilët asnjëherë nuk kanë lobuar për ardhjen e ndonjë investitori të jashtëm për hapje të vendeve të reja të punës, por vazhdimisht ju ka interesuar stabiliteti formal dhe sipërfaqësor”, tha Muhaxhiri.
Ndryshe, sipas të dhënave që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka prezantuar të premten para Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, emigrim ilegal të qytetarëve nga Kosova ka pasur edhe gjatë vitit 2013 dhe 2014, por numri më i madh është në vitin 2015 që arrin në 50 mijë. /Radio Kosova/