Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Drenasit, Naim Bazaj ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit Blerand Stavileci, që në “Interaktiv” të KTV-së tha se “ata që kanë 300 euro të ardhura mujore nuk duhet të bëjnë nga 7 fëmijë”.
Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës ai ka thënë se deklaratat e tilla janë shoviniste dhe që i ngjajnë ministrave të Serbisë.
“Kjo është e papranueshme së pari si çështje kombëtare e pastaj edhe morale. Vetëm serbët lëshonin këso lloj deklaratash për të zhdukur popullin autokton shqiptar në Ballkan, e pse një ministër ‘shqiptar’ bënë një deklarim të tillë kjo është e pafalshme”, ka thënë mes tjerash kryesuesi Bazaj, në një reagim që u ka dorëzuar mediave.
Ai me tej ka shtuar se ministri Stavileci publikisht duhet të kërkojë falje ndaj asaj deklarate dhe të japë dorëheqje urgjente.
Bazaj ministrin Stavileci e ka quajtur si përfitues i votave.
“Kërkoj nga ky përfitues i votuesve të PDK-së dhe përfitues i madh deri me tani që të japë dorëheqje urgjente. Ky dhe shumë ministra të tjerë fëmijët e tyre i shkollojnë nëpër shkolla private dhe jashtë Kosovës e kërkon të mos rritet shtimi i popullsisë shqiptare dhe e ndien veten shqiptar”, ka thënë Bazaj.
Si kundërpërgjigje të ministrit Stavileci, kryesuesi i Kuvendit, në mbledhjen e Kuvendit ka propozuar që për vitin 2015 ata që kanë fëmijën e parë të subvencionohen me nga 100 euro, ndërsa ata që kanë mbi 7 fëmijë me nga 1000 euro. Ky propozim u hodh në votim dhe më vota unanime nga grupet parlamentare të Kuvendit u votua.