Ua ka lakmi shumë prej bashkëluftëtarëve të tij që kanë arritur të pasurohen, ndonëse para lufte, por edhe në periudhën e hershme të pasluftës i kishin punët shumë më keq se ai.
U merr lakmi në shtëpitë moderne që kanë ndërtuar, që kanë vetura të shtrenjta, që fëmijët e tyre shkojnë të veshur dhe që nuk u mungon asgjë. U merr lakmi edhe për punën që ata kanë siguruar pa ndonjë vështirësi dhe pagat e majme që marrin, shkruan “Zëri”. Thotë se e ka menduar edhe emigrimin ilegal, por nuk ka mundur ta lërë motrën e sëmurë.
Bekim Ferizi, 47 vjeç, nga Mikushnica e Skenderajt, me gruan, tre fëmijët dhe me motrën e sëmurë jeton në gjendje të mjerueshme në një objekt që dikur shërbente stallë për bagëti, e që ai i thotë shtëpi, me vetëm 70 euro ndihmë sociale.
Ish luftëtari i UÇK-së ka trokitur në shumë dyer, por nuk ka gjetur mbështetje, madje as te bashkëluftëtarët e tij që mbajnë pozita të larta. “U kanë gjetur strehë në banesat sociale edhe njerëzve që kanë paga të mira, që kanë shtëpi moderne në fshat. Banesa sociale u kanë dhënë edhe atyre që kurrë nuk rrinë në to, i mbajnë të mbyllura, bile edhe i lëshojnë me qira. Unë i di 5-6 prej tyre. Kjo është padrejtësia”, thotë Bekimi. /Zëri/